Ministria e Punëve të Brendshme ka shënuar sot 18 tetorin, Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore. Ky aktivitet u hap nga Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, njëherit zëvendësministër i MPB-së, z. Blerim Gashani.
Ai më këtë rast ka falënderuar për prezencën përfaqësuesit e ICITAP-it, Këshillit të Evropës, OSBE-së, GIZ-it, Terres des Hommes dhe donatorëve të tjerë, si dhe anëtarët e Autoritetit Kombëtar, për përkushtimin, angazhimin e tyre dhe punën rreth planifikimit të kampanjës 1-mujore kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Me këtë rast zëvendësministri Gashani ka thënë se rishtazi është bërë publik edhe raporti i GRETA-s, raporti i dytë i përputhshmërisë së Kosovës me standardet e Konventës së Këshillit të Evropës për Masat kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
“Sot, kur po takohemi së bashku, para jush zotohem se do të punojmë në përmbushje të rekomandimeve, jo vetëm të këtij raporti, por të gjitha raporteve me rëndësi të veçantë për ne, siç është edhe TIP Raporti i SHBA-ve, në mënyrë që të sigurojmë pajtueshmërinë e plotë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në luftën kundër trafikimit me njerëz dhe për mbrojtje dhe mbështetje të plotë për viktimat e trafikimit në të gjitha nivelet e referimit të tyre”, theksoi Gashani.
Ai tha se Kosova e ka të ndërtuar kornizën ligjore dhe institucionale. Parandalimi dhe luftimi i trafikimit me qenie njerëzore ka qenë dhe mbetet prioritet. Megjithatë, duke marrë parasysh që ky është një fenomen transnacional që në vazhdimësi sjell sfida në spektrin global, ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Në këtë ceremoni Gashani ka thënë se pandemia me COVID 19, ka krijuar sfida në menaxhim gjithëpërfshirës të pandemisë, specifikisht ka prekur edhe veprimet në fushën e parandalimit dhe luftimit të trafikimit dhe, gjithashtu, trajtimit të viktimave.
“Raportet ndërkombëtare tregojnë që trafikuesit kanë përfituar nga kjo krizë dhe gjendja e dobët ekonomike e krijuar si rezultat i pandemisë, dhe është shënuar rritje e trafikimit për keqpërdorim seksual sidomos nëpërmes internetit (rrjeteve sociale), si pasojë e mbylljes dhe kufizimit të lirisë së lëvizjes”, theksoi Gashani.
Ai tha se nga pozicioni i Koordinatorit, do të bëj të pamundurën në përkrahje dhe inicim të proceseve, të cilat ndikojnë në parandalim dhe luftim të trafikimit me qenie njerëzore, gjithashtu proceseve që sigurojnë mbrojtjen dhe trajtimin e duhur të viktimave.
Zëvendësshefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, z. Tankut Soykan, theksoi se e vlerëson zotimin e Koordinatorit Nacional për përmbushje të rekomandime të dala nga raporti i dytë i GRETA-s dhe pret me padurim që këto rekomandime të zbatohen në praktikë.
Ndërsa Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Policinë e Kosovës, z. Fehmi Gjata ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar shtator të këtij viti janë iniciuar 95 raste për hetimin në dyshim për Trafikim me Qenie Njerëzore dhe vepra tjera që ndërlidhen me trafikim.
Ai tha se janë iniciuar 139 persona të dyshuar për TQNJ dhe vepra që lidhen me trafikim. Janë identifikuar 15 viktima të trafikimit, është shkatërruar një grup kriminal me gjithsejtë 8 persona, janë realizuar 22 plane operative, ku janë kontrolluar gjethistë 114 objekte të ndryshme etj.
Gjatë fushatës një mujore janë përgatitur një varg aktivitetesh me karakter vetëdijësues dhe parandalues si: Ligjërata në shkolla; tryeza informuese në nivel qendror dhe lokal, janë bërë video spote dhe të gjitha produktet e përgatitura në bashkëpunim me partnerët tanë, si OSBE dhe Këshilli i Evropës, do të jenë prezente për një audiencë të gjerë. /2LONLINE.com/