Bekim Azizi, Kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë ka thënë se me shumë vëmendje dhe shqetësim e ka përcjellë situatën e krijuar si pasojë e mosekzekutimit të pagave për mësimdhënësit në Komunën e Vitisë.
‘Si kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë brenda kompetencave ligjore dhe në konsultim me profesionistët jam i gatshëm që të shtyjë tutje çdo nismë për ndryshime buxhetore nga Kuvendi Komunal i Vitisë për ti dhënë zgjidhje sa më të shpejt kësaj problematike që po e shqetëson secilin qytetar të Vitisë”, thotë Azizi.
Ja deklarata e tij e plotë:
Të dashur qytetarë të Vitisë,
Me shumë vëmendje dhe shqetësim e kam përcjellë situatën e krijuar si pasojë e mosekzekutimit të pagave për mësimdhënësit në Komunën e Vitisë.
Me qëllim të qartësimit të kësaj situate dhe nevojës për qetësi e reflektim jam kursyer nga adresimet publike duke dashur që kjo çështje të zgjidhet shpejt e pa u politizuar.
Është urgjente që kjo çështje ta marrë zgjidhjen e duhur dhe që mësimdhënësit vitias mos të shndërrohen në arenë për përballje politike sepse mbi të gjitha ata meritojnë respekt, trajtim meritor dhe paga të dinjitetshme.
Si kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë brenda kompetencave ligjore dhe në konsultim me profesionistët jam i gatshëm që të shtyjë tutje çdo nismë për ndryshime buxhetore nga Kuvendi Komunal i Vitisë për ti dhënë zgjidhje sa më të shpejt kësaj problematike që po e shqetëson secilin qytetar të Vitisë.
Nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Vitisë thërras secilin nga akterët e përfshirë në këtë proces qoftë nga niveli lokal, qoftë nga niveli qendror për dialog të sinqertë, reflektim e përkushtim për zgjidhjen e kësaj situate në mënyrë që mësimdhënësit tanë të marrin sa më shpejt pagat e tyre.
Ekzekutimi sa më i shpejt i pagave për mësimdhënësit duhet të jetë prioritet i secilit nga ne.
Në situatat si kjo na duhet uniteti dhe angazhimi i përbashkët për të ardhur deri tek zgjidhja sa më e shpejt për këtë kategori të respektuar të shoqërisë sonë.
Brenda përgjegjësive ligjore e politike por mbi të gjitha qytetare jam i gatshëm për bashkëpunim dhe jam i përkushtuar për ta shtyrë tutje këtë proces drejt zgjidhjes së kësaj situate me të cilën po përballen mësimdhënësit e Komunës së Vitisë.
Me respekt,
Bekim Azizi
Kryesues i Kuvendit Komunal të Vitisë