Është e pavërtetë kur thuhet se taksa ndaj Serbisë mund ti prishë raportet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-ve. Miqësia me amerikanët është historike, tradicionale, është miqësi e kahershme dhe e përcaktuar qartë.
Shkruan: Ardian Azemi
Nuk ndërtohen raporte me amerikanët si; mjafton ta thuash, për të tjerat kujdesem unë. Amerika është këtu në saje të respektimit të vetvetes dhe vetëdijes kombëtare.
Gjasat për të krijuar partneritet me ShBA-të përmes nënshtrimit, janë zero. Edhe atëherë kur i jep një JO Amerikës, duke bërë përpjekje me mbrojt dhe respektua shtetin dhe popullin tënd, ajo është e kënaqur, sepse interes i vetëm i Amerikës është miqësia me shtete e popull të qëndrueshëm, që e duan vetën dhe nuk lëshojnë pe për diçka që vlerësojnë se është e drejt.
Pra, një gjë mos ta harrojmë, miq të nënshtruar nuk dëshiron asnjë shtet i fuqishëm, sepse janë bërë shtete të fuqishme duke mos u nënshtruar por duke këmbëngulë për atë që i takon.
Imagjinoni nëse ndonjë shtet do të vepronte kundër Amerikës sikurse Serbia që ka veprua kundër Kosovës, çfarë do të ndodhte..? Mos u shashtrisni, taksa ndaj Serbisë nuk i acaron marrëdhëniet me ShBA-t, përkundrazi, vendosmëria e Qeverisë së Kosovës për të mos e tërhequr taksën, vetëm sa i rregullon këto marrëdhënie dhe miqësinë e bënë edhe më të fortë edhe më serioze.
Shkaku i nënshtrimeve të vazhdueshme, sot ballafaqohemi me pasojat e Pakos së Ahtisarit, me veriun e Kosovës, me decentralizimin, injorimin nga ana e Serbisë të marrëveshjeve në Bruksel, dhe së fundmi edhe me vazhdimësinë e izolimit dhe diskriminimit të qytetarëve të Kosovës nga ana e BE-së. Jo, nuk duhet të ketë më kompromise me të drejtën tonë.
Është koha ti bëhet e qartë të gjithëve, edhe miqve edhe skeptikëve se Kosova është shtet i pavarur, një vend që ka popullsi, territor, dhe institucione, dhe është e aftë të menaxhoi me vetveten dhe rregullim e saj të brendshëm.
Çdo kush duhet ta kuptoj se Kosova ka tolerua shumë, madje është nënshtruar vazhdimisht ndaj çdo propozimi, kërkese dhe presioni ndërkombëtar, në të shumtën e rasteve duke shkelë mbi shtetin dhe mbi popullin e saj.
Vizita e djeshme e presidentit rus, Vladimir Putin në Beograd, dhe qëndrimi i tij karshi proceseve në Ballkan, në theks të veçantë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të shërbej si këndellje për BE-n, sepse kjo vizitë më tepër se gjithçka, është kërcënim direkt ndaj përpjekjeve perëndimore dhe evropiane për të krijuar paqe të qëndrueshme në Ballkan.
Andaj, normalisht nga Kosova do të duhej të kërkohej vendosja e masave tjera shtesë, dhe jo ti bëhet presion për suspendim, tërheqje të taksës.
Tanimë dihet botërisht qëndrimi i Kosovës; pa një garancë nga ShBA-t dhe BE-ja, se me marrëveshjen mes dy shteteve Serbia do ta njoh Kosovën shtet, dhe Kosova do të bëhet anëtare e OKB-se, që qytetarët e Kosovës brenda një afati të caktuar kohor do të gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, dhe mbi të gjitha kjo marrëveshje nuk do ta dëmtoi Kosovën territorialisht, atëherë do të kishte mundësi të diskutohej tërheqja e taksës.
Përderisa nuk kemi reflektim, dhe tu u bazua në vizitën e Putinit dje në Beograd, mund të diskutojmë vetëm për masa tjera ndaj Serbisë.