Muajtë korrik dhe gusht, janë muaj ku kryesisht shumë bashkatdhetarë kthehen në vendlindjet e tyre për t’i kaluar pushimet bashkë me familjet e tyre.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se duke u bazuar në përvojat e viteve të kaluara, ku kemi pas disa raste të raportuara si “vjedhje” dhe “vjedhje të rënda” nga automjetet e parkuara, Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët që me rastet e daljes nëpër qendrat tregtare apo kudo qoftë, nëpër sheshe të qyteteve, le të sigurohen se gjatë parkimit të veturave të tyre ato të jenë të kyçura dhe të mos lënë në veturat e tyre gjësende me vlerë, si çantë dore, telefona celularë apo edhe kuleta.
“Fatkeqësisht në këto raste, persona keqbërës në momentet që vërejnë këto gjësende, në ulëse të veturave, shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale, duke thyer xhamin e veturës, dhe vjedhur sende me vlerë shpesh herë edhe dokumente udhëtimi, të cilat më pastaj paraqesin vështirësi të konsiderueshme për qytetarë” ka thënë zëdhënësi Hashani.