Kombëtarja e Kosovës ka barazuar me Italinë në ndeshjen e parë parakualifikuese për Kampionatin Botëror që në vitin 2021 mbahet në Egjipt. Sfida e luajtur në Benevento të Italisë përfundoi baras, 26:26.
Kosova golin e barazimit e shënoi në sekondën e fundit të ndeshjes. Dymbëdhjetë sekonda pa përfunduar ndeshja, Italia kaloi në epërsi 26:25, por Kosova ia doli të shënojë golin e barazimit “me sirenë”.
Tahirukaj lëshoi topin në mënyrë mjeshtërore në sekondën e fundit. Pas golit dhe fundit të ndeshjes, nisi festë e madhe nga hendbollistët kosovarë. Për Tahirukajn, ky ishte goli i katërt në këtë përballje.
Më efikasi te Kosova ishte Valon Dedaj. Ai ndeshjen e mbylli me tetë gola, kurse krahas Tahirukajt, me katër gola te Kosova kontribuoi edhe Kastriot Jupa.
Përzgjedhësi i Kosovës, Taip Ramadani, është ndarë shumë i kënaqur me barazimin dhe paraqitjen e hendbollistëve të tij. Ai ka thënë se barazimi me Italinë do të jetë motiv për dy ndeshjet e tjera në kuadër të kësaj faze kualifikuese.