Partia Socialdemokrate (PSD) realizoi një aksion simbolik para Qeverisë ku ka vendosur flamuj të Kosovës, me hartën me vetëm dy yje dhe duke paraqitur komunat me ngjyrë të bardhë që pritet të jenë pjesë e Asociacionit.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se Drafti i Asociacionit që Qeveria e pranoi e godet në thelb Republikën e Kosovës. Sipas tij, si akt pabesie ndaj shpalljes së pavarësisë së 17 Shkurtit, Qeveria e re po e zëvendëson atë me një tjetër rregullim, atë të Asociacionit.
“Çka është kjo Republikë ku yjet që sublimojnë barazinë mes etnive këputen një nga një dhe mbesin vetëm dy: shqiptarë e serbë? Aty ku thjerrëza e shikimit për tjetrin është etnia, aty ku mbizotrojnë narrativat nacionaliste, aty ku ndarja është rregullatori i të ardhmës, aty ku nuk ka shoqëri, aty nuk jetohet. Kosova po bëhet vend i pabanueshëm me themelimin e Asociacionit”, ka thënë Molliqaj.
Sipas tij, “formula për konflikte të reja është drafti i ri. Kufiri i Asociacionit ndanë Kosovën përbrenda, ndërsa kufiri me Serbinë do të na thuhet që është çështje delimitimi dhe jopolitik”.
“Kjo është qasje e përmbysur e gjërave. E ardhmja jonë do të valohet nën qeverisjen e Albin Zajdnices. Vetëm konkursi për flamurin e ri po mungon”, ka thënë kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj. /2LONLINE/