Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati dhe ushtruesi i detyrës së Ministrit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për realizimin e projektit “Ndërtimi i ujësjellësit-Kamenicë, rruga për Tugjec“, i cili ka vlerën prej 80 mijë eurosh dhe që financohet nga MMPH-ja.
UD ministri Matoshi tha se ky projekt deri në fund të vitit, do të jetë në shërbim të qytetarëve.
“Shpresoj dhe jemi thellë të bindur që Komuna e Kamenicës do ta implementoj me përgjegjësi shumë të lartë këtë projekt. Besoj që në fund të vitit ky projekt do të jetë në shërbim të qytetarëve të vendit”, u shpreh Matoshi.
Sipas tij ky projekt nuk do të jetë i vetmi në Kamenicë sepse ka në proces të realizimit projektin për “Rregullimin e ambientit dhe rekreacionit në Kamenicë”, në vlerë prej 240 mijë eurosh.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati falënderoi Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, për këtë projekt sepse sipas tij, projekti që nënshkruan ka rëndësi të madhe për banorët e Kamenicës.
“Komuna e Kamenicës është komuna më e varfër sa i përket ujërave në Kosovë dhe ka nevojë shumë të investohet si në çështjen e ujëmbledhësve ashtu edhe në çështjen e rrjetit.Është një projekt shumë domethënës për ne dhe falënderoj u.d ministrin Fatmir Matoshi që qysh ditët e para e inicuam këtë marrëveshje bashkëpunimi”, tha Kastrati.