Kur një mjek pensionohet ai vetëm ndahet nga puna e përditshme rutinë, përndryshe ai mbetet edhe më tutje mjek, dhe në situata të caktuara duhet të jetë i gatshëm që profesionin e tij ta aplikojë brenda shoqërisë ku jeton.
Nga: Xhevdet Kallaba
Në kushtet e sotme kur një mjek me një përvojë 40-vjeçare kompensohet me një pension mujor prej reth 200 eurosh, padyshim, është mjerim i kohës. Sidoqoftë, duke pasur parasysh papunësinë prej rreth 40% të popullatës së Kosovës, dhe me dhjetëra mjekë që presin në lista të enteve të ndryshme për punë, atëherë është një satisfaksion ngushëllues, por edhe brengosës për ata që pjesën e mbetur të jetës duhet ta kalojnë me frikën e mbijetesës nga pensionet e merituara. Në shekullin e 21-të jemi për shumëçka “sui generis”, prandaj edhe kjo dukuri nuk duhet të na befasojë. Të shpresojmë për një të ardhme më të begatë për pensionistët e radhës dhe jo vetëm për ata!
Rreth 50 punëtorë shëndetësorë, ndër ta mjekë specialistë fushash të ndryshme, si dhe punëtorë teknikë ishin tubuar në sallën e konferencave të objektit të administratës në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Motivi i tubimit ishte një takim lamtumirës për në pension të kolegut, ish-drejtorit dhe ish-profesorit dr. Xhavit Hajdari, njoftoi të pranishmit ushtruesi i detyrës së drejtorit të SRGJ-së dr. Agim Kryeziu.
Ndonëse shumica e kolegëve e njihnin Doktor Xhavitin që nga inkuadrimi i tyre në këtë institucion, megjithatë drejtori Agim Kryeziu kërkoi nga kolegu dr. Zijadin Hasani që ta prezantojë një biografi të shkurtër për Doktor Xhavitin.
Është e pamundur që gjithë aktiviteti gati 40-vjeçar i punës së dr. Xhavitit të prezantohet brenda pesë minutave, por ai në mënyrë të fragmentuar shpalosi ecejaket e kolegut të tij për të paraqitur kronologjikisht shkollimin fillor e të mesëm në Gjilan, fakultetin e mjekësisë në Prishtinë dhe specializimin në Zagreb, si dhe për t’i njoftuar kolegët se dr. Xhaviti, pas përfundimit të fakultetit, punën e kishte filluar më 1981 në Qendrën Mjekësore në Gjilan.
Si çdo mjek me ambicie, edhe dr. Xhaviti, pas fakultetit fillon specializimin më 1984 duke punuar, fillimisht në Spitalin Rajonal të Gjilanit e pastaj në Klinikën interne në Prishtinë. Dy vitet e fundit të specializimit i kishte kryer në Zagreb gjatë viteve 1987- 1988, kur edhe përfundon specializimin.
Dashuria ndaj mjekësisë, por edhe ndjenja patriotike që diturinë e fituar ta praktikojë në vendin e tij, bëri që doktor Xhaviti punën ta vazhdojë në Repartin internistik dhe atë të Hemodializës pranë Spitalit Rajonal të Gjilanit.
Si punëtor shëndetësor, por edhe si kryetar i sindikatave të punëtorëve shëndetësorë të Anamoravës, që ishte aso kohe, mirëpo edhe sypatrembur në kundërshtim të politikave shëndetësore nga masat e dhunshme të regjimit serbosllav, në shkurt të vitit 1992, dhunshëm largohet nga vendi i punës.
Ky raport i regjimit të atëhershëm, dr. Xhavitin nuk e zmbraps nga betimi i Hipokratit, dhe ndihmesën e tij për popullatën e Anamoravës vazhdon ta japë, duke e hapur ordinancën “Etika”, në qershor të vitit 1992, e, e cila ka funksionuar deri më 1998.
Ordinanca e tij, tashmë nuk ishte vetëm në funksion të shërbimeve mjekësore, porse edhe vatër e aktiviteteve të vazhdueshme, madje edhe më intensive, në shërbim të Këshillit për shëndetësi, të sindikatave, të shoqatës së mjekëve të Anamoravës, si dhe në shërbim të mbajtjes së praktikës për nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë, por edhe të mjekëve praktikantë. Gjatë asaj periudhe 48 mjekë kishin përfunduar stazhin pikërisht në ordinancën e tij.
Pjesëmarrja dhe organizimi i shumë këshillimeve, simpoziumeve e kongreseve shkencore të karakterit kombëtar e ndërkombëtar, pastaj, bashkë me kolegë të tij shqiptarë, kontrollimi i përvjetshëm mjekësor i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Gjilanit ishte bërë ther në sy për pushtetarët lokalë serbë, kështu që më 1998 i pamundësohet veprimtaria e tij edhe në ordinancë.
Sidoqoftë, kjo nuk e ndalë Doktor Xhavitin që të jetë edhe më tutje aktiv, qoftë në Këshillin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; të sindikatave shëndetësore në nivel lokal dhe të Kosovës, apo edhe të vazhdimit të ligjërimit në shkollën e mesme mjekësore të themeluar më 1994.
Sa më shumë rëndonte dhuna serbe mbi intelektualët shqiptarë në Kosovë, Doktor Xhaviti trimërohej edhe më shumë. Kështu, më 1989 ai ishte njëri ndër themeluesit e LDK-së, Dega në Gjilan, dhe për disa mandate anëtar i Kryesisë dhe kryetar i Degës.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1998 Doktor Xhaviti zgjedhet deputet i Parlamentit të Kosovës, ndërkaq pas luftës shef i grupit të këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Vlen të theksohet se dr. Xhavit Hajdari, që nga viti 1991 ishte anëtar i Shtabit të mbrojtjes së komunës së Gjilanit, si dhe zëvendëskomandant dhe përgjegjës për shëndetësi në kuadër të Ministrisë së Mbrojtes të Kosovës. Prandaj, për gjithë këtë kontribut të tij, të dhënë gjatë luftës, ai tani ka fituar statusin e Veteranit të UÇK-së.
Pas luftës, më 21 qershor 1999 Doktor Xhaviti kthehet në punë dhe detyrat e punës në Repartin e sëmundjeve të brendshme, për të pasur edhe funksione udhëheqëse që nga anëtari i Këshillit drejtues, shef reparti e deri në kryeshef i Departamentit internistik.
Prej vitit 2007 – 2012 ushtroi detyrën e drejtorit ekzekutiv të Spitalit Rajonal të Gjilanit, duke menaxhuar kështu shumë projekte kapitale për këtë qendër spitalore, jo vetëm në shërbim të Anamoravës, por edhe më gjerë për banorët e Kosovës Lindore dhe Maqedonisë Veriore.
Ndonëse Doktor Xhaviti tashmë po e përmbyll një kaptinë të karrierës së tij rreth dyzetvjeçare, ai, edhe pas pensionimit do të japë kontributin e nevojshëm për shëndetësinë kosovare.
Me rastin e këtij takimi lamtumirës për pension, koleget dhe kolegët e Doktor Xhavitit evokuan momente të bashkëpunimit, bashkëstudimit dhe bashkëndërtimit të Spitalit Rajonal të Gjilanit, por edhe të avancimit të mjekësisë në këtë rajon të Kosovës.
Kolegu i tij dr. Ukshin Ismaili, me evokimet e tij, u kthye në ditët e hershme të bashkëspecializimit, në vitet e 80-ta, në Zagreb për të paraqitur rëndësinë e shkollimit të mjekëve shqiptarë në atë periudhë. Ai e përgëzoi Doktor Xhavitin për kontributin e tij, duke cekur se pensioni është pjesë e jetës së çdo punëtori, dhe se janë me fat ata që e presin këtë kohë.
Me këtë rast dr. Rafet Syla shpalosi periudhën kur studentët e mjekësisë mbaronin fakultetin, por nuk kishin mundësi të kryerjes së stazhit. Kështu Doktor Xhaviti me ordinancën e tij dhe vullnetin e tij të pashoq na jepte këtë mundësi, por edhe kurajë për punë, përkundër kohës dhe kushteve të vështira.
Doktor Ilaz Poroshtica vuri në pah edukatën e Doktor Xhavitit, por edhe respektin që ai reflektonte ndaj kolegëve të tjerë. „Gjatë studimeve, por edhe më vonë, ka qenë e pamundur që ne ta përshëndesnim të parët doktorin. Një veti tjetër që e kam vërejtur gjatë punës së tij te Doktor Xhaviti, – ai është shumë i mirë dhe i afërt për ata që e meritojnë, pra për ata që duhet respektuar, por është i pakompromis për ata që s’e meritojnë dhe që janë në rrugë të gabuar, ndaj i uroj shëndet në gëzimin e pensionit“, tha dr. Ilaz Poroshtica.
Punëtori i administratës, z. Bexhet Murtezi përkujtoi të pranishmit për kontributin e dr. Xhavitit gjatë periudhës sa ishte drejtor i SRGJ-së, me ç’rast kishte menaxhuar rreth 20 projekte në vlerë prej rreth tre milionë eurosh e që reflektojnë një infrstrukturë shembullore të SRGJ-së.
Duke i falënderuar koleget dhe kolegët, Doktor Xhaviti u shpreh paksa i emocionuar, sa nga komplimentet, po aq edhe nga momenti kur ai duhet që për shkak të moshës, të ndahet nga kolektivi, me shumicën prej të cilëve kishte punuar që nga vitet e 80-ta.
„Unë në njëfarë mënyre për gati 40 vjet gjithmonë kam qenë në krye të disa iniciativave, kështu që më ka rënë edhe të përballem me shumë vështirësi, madje nganjëherë jam gozhduar sikur krishti e nganjëherë jam persekutuar si Jezusi, por përsëri kam qëndruar në këmbë; në njëfarë mënyre kam qenë si një lloj feniksi për arsye se kur njerëzit më së shumti kanë menduar se unë jam rrëzuar, unë jam ngritur dhe, sot e ndjej veten tepër mirë, sepse jam i plotësuar dhe i përmbushur; kam një familje dhe kam kolegë të mirë“, tha mes tjerash në ndarjen nga kolegët e tij dhe shkuarjen në pension dr. Xhavit Hajdari.
Në vazhdim, Doktor Xhaviti shprehu keqardhje për situatën që e ka katandisur mjekësinë, duke dashur që kolegët e tij t’i lë në kushte më të mira dhe më komode të punës. „Fatkeqësisht po e përjetojmë kështu një degradim të përgjithshëm shoqëror, sepse pritjet që i kemi pasur nuk janë, dhe nganjëherë njeriu ndien dhembshuri që jemi në këtë situatë, por unë shpresoj shumë që në një të ardhme të afërt do të përmirësohet edhe statusi i punëtorëve shëndetësorë dhe do të respektohet shumë më tepër puna e mjekëve, e motrave dhe punëtorëve shëndetësorë, ngase në një vend ku nuk ka shëndetësi, ku nuk ka mjekë – nuk ka perspektivë. Në çdo vend të botës mjekët janë elitë morale, elitë intelektuale dhe elitë materiale“.
Me një ngritje dollie Doktor Xhaviti falënderoi edhe njëherë kolegët për organizimin e këtij takimi lamtumirës, duke ua uruar edhe dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, që përputhet me javën e lindjes së tij.
Në emër të kolektivit, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SRGJ-së dr. Agim Kryeziu, në shenjë falënderimi për punën rreth dyzetvjeçare të Doktor Xhavitit i kishte akorduar një mirënjohje dhe një orë dore.
Në shenjë kujtimi për punën e përbashkët në SRGJ pasuan fotografime të shumta të kolegeve e kolegëve me Doktor Xhavitin.
Me emocione të përziera të punës, krenarisë dhe ndarjes Doktor Xhaviti u nda burrërisht nga kolegët, duke bartur mbi supet e tij një përvojë 40-vjeçare në një institucion shëndetësor, rritën e të cilit e kishin ndarë bashkërisht.
Padyshim, është dialektikë e jetës që gjeneratat e moshuara të pensionohen, ndërkaq gjeneratat e reja të marrin mbi vete përgjegjësitë dhe detyrat që i presin në shërbim të popullit.