Pas triumfit në garat e Kupës së Kosovës, skuadra e Mitrovicës është kurorëzuar me meritë edhe me titullin e kampionit në Ligën e Femrave.
Në ndeshjen e javës së fundit të kampionatit, që u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta”, mitrovicaset kanë fituar me rezultat bindës kundër skuadrës kaçanikase, Bazeli 2015, me shifrat 12:1.
Kësisoj, Mitrovica e ka mbyllur këtë edicion të garave me 67 pikë, duke regjistruar 22 fitore e 1 barazim dhe 1 humbje. Ky është titulli i dytë radhazi për Mitrovicën, skuadër kjo e cila do ta përfaqësojë Kosovën në Ligën e Kampionëve për femra.
Medaljet dhe trofeun e kampionit për futbollistet e Mitrovicës i ndanë kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave dhe njëherësh anëtarja e KE të FFK-së, Vjollcë Krasniqi, anëtari i KE të FFK-së, Xhelal Broja dhe menaxherja e futbollit të femrave, Valbona Gashi – Uka.