Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, sot në shënim të Ditës së Familjes, ka vizituar familjen strehuese të Aziz dhe Alije Hamdiut dhe familjet e tjera në komunën e Shtimes dhe Ferizajt.
Ministrja Haxhiu tha se strehimi familjar është forma më e mirë e mbrojtjes për fëmijë pa përkujdesje prindëror andaj premtoi përkushtim maksimal që familjet strehuese të kenë trajtim të dinjiteteshëm, ashtu siç është përcaktuar me Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare.
Tutje, ministrja Haxhiu tha se ambienti i ngrohtë familjar është vendi ku një fëmijë mund të rritet e të zhvillohet normalisht dhe këtë ambient, sipas saj sot e ka parë tek familjet strehuese.
Në fund, ministrja Haxhiu tha se e gëzon fakti që të gjithë ishin mirënjohës për punën dhe angazhimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë si dhe falënderoi organizatat UNICEF, OFAP dhe KOMF për gjithë angazhimin e tyre në mbështetje të familjeve strehuese.
Edhe kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se 15 Maji është Dita Ndërkombëtare e Familjes. Bashkë me Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, vizituan familjen strehuese Hamdiu në Zhegër. Në po këtë familje, takuan edhe familjet tjera strehuese nga Gjilani, Ferizaj dhe Shtimja.
“Diskutuam për sfidat dhe hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Gjilanit. Ne kemi mbështetur e vizituar rregullisht para dhe pas qeverisjes tonë. Të bashkuar për mbështetje të qëndrueshme. Për familjet që strehojnë fëmijët”, ka thënë kreu i Gjilanit, Alban Hyseni. /2LONLINE/