Sot në mbledhjen e Komisionit Ad-hoc për zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar – Vettingut në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Ministrja Albulena Haxhiu ka prezantuar Pakon e Vettingut.
Ministrja mirëpriti konstituimin e Komisionit Ad-hoc dhe para anëtarëve të këtij Komisionit paraqiti në tërësi zhvillimin e procesit të Vettingut udhëhequr nga Ministria e Drejtësisë duke përfshirë Draft amendamentet kushtetuese, të gjeturat dhe rekomandimet nga opinioni i Komisionit të Venecias dhe ndryshimet e nevojshme ligjore.
Haxhiu theksoi se draft amendamentet kushtetuese për Vettingun të hartuara nga grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë të cilat tashmë janë vlerësuar dhe rishikuar pozitivisht nga Komisioni i Venecias janë finale dhe të gatshme për procedim në Gjykatën Kushtetuese.
Pas prezantimit të Ministres, çështjet që ngritën interes dhe u diskutuan mes Ministres dhe anëtarëve të Komisionit Ad-hoc ndër tjerash përfshinë vlerësimin e draft amendmenteve kushtetuese nga Komisioni i Venecias, përmbajtjen e ligjeve që do të pasojë pas amendamenteve kushtetuese dhe bashkëpunimin juridik ndërkombëtar gjatë zhvillimit të procesit të Vettingut. /2LONLINE/