Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman ka marrë pjesë në tryezën “ Aty ku fillon dashuria”, e organizuar nga Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror -OPAF, për nder të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve- 1 Qershori.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tregoi se pikërisht në këtë ditë, ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve shtesë prej 200 mijë euro për familjet strehuese, gjegjësisht për fëmijët që janë pjesë e këtyre familjeve.
“Në fakt kjo është një mbështetje simbolike në krahasim me punën që këto familje e bëjnë”, tha ministrja Haxhiu duke shtuar më pas se Ministria e Drejtësisë ka subvencionuar në mënyrë indirekte edhe organizatat e shoqërisë civile të cilat ofrojnë shërbime jo vetëm për fëmijët, por edhe për vet familjet strehues.
Tutje ministrja Haxhiu vlerësoi lartë angazhimin e familjeve strehuese duke thënë se kjo formë e strehimit krijon ambient familjar që ndikon në rritjen, formimin psikologjik dhe ndjenjën emocionale të fëmijëve.
Ministrja Haxhiu tha krahas mbështetjes financiare, ka themeluar edhe Grupin Punues për draftimin dhe validimin e ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare ku synohet që bashkërisht me përfaqësueses të Institucioneve të shërbimit social dhe përfaqësueses të shoqërisë civile të fuqizojmë konceptin e strehimit familjarë si forma më e mirë alternative për mbrojtjen e fëmijëve. /2LONLINE/