Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka sqaruar arsyen e pezullimit të masës mbrojtëse për bllokat nga Serbia.
Ministrja ka sqaruar se bazuar në ligjet antidamping dhe masat kundërbalancuese, koha e vendosjes së masës ka skaduar. “Sa i përket mbrojtjes së tregut, MINT ka dy ligje që mbrojnë tregun tonë vendor. Është Ligji për Masat antidamping dhe masat kundër balancuese. Dua t’ju njoftoj për ligjin antidaping. Kemi dy masa mbrojtëse antidamping ndaj Serbisë, atë për miellin dhe bllokat kulmorë. Ndërsa për momentin jemi duke i analizuar edhe dy raste, rastin e bllokave 19,19,25, që është në proces dhe rastin e importit të koncentratit nga Serbia, që po ashtu është në proces. Ne këto dy raste sipas analizave finale, do të reflektojmë me masa antidamping, por duhet t’i kemi në konsideratë afatet ligjore që parashihen në ligjet përkatëse”, ka thënë ministrja Hajdari.
Ajo po ashtu ka bërë të ditur se i inkurajojnë bizneset dhe shoqatat që për çdo dyshim të mundshëm ta njoftojmë Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
“Njëkohësisht unë inkurajoj bizneset dhe shoqatat bizneseve që për çdo dyshim që kanë për ndonjë diskriminim ose produkt të importuar që janë të diskriminuar, që t’i adresojmë kërkesat në ministri, ne do t’i mbrojmë prodhuesit vendorë nga politikat tregtare të padrejta, por edhe nga ligji i konkurrencës dhe ligji për tregti me jashtë, që ka kaluar në dëgjimin e parë në Parlament. E them se ky ligj është i vlerës së lartë, që i mbron prodhuesit, dhe i rregullon politikat e padrejta tregtare, mbrojtjen e prodhuesve vendore dhe eksportuesve që do të eksportojnë jashtë, por gjithmonë duke u bazuar në parimet bazë të OBT. Me këto dy ligje, për konkurrencën dhe tregti me jashtë, kemi një plan më të gjerë për mbrojtjen e tregut vendor”, tha ministrja.
Ministrja gjithashtu e sqaroi para gazetarëve shfuqizimin e masës antidamping, duke u bazuar në ligj.
“Dua t’i jap të gjitha sqarimet për opinionin në lidhje me shfuqizimin e masës mbrojtëse antidamping 0.02 euro për bllokat me dimensione 19,19,25 të importuara nga Serbia dhe njoftimin për marrjen e vendimit të hapjes së hetimit zyrtar. Bazuar në kërkesën e Shoqatës së Prodhuesve të materialit ndërtimor me bazë argjilore të datës 16.03.2016, Departamenti i Tregtisë pranë MINT, pas një hulumtimi të bërë, bazuar në nenin 48 të Ligjit për masat antidamping dhe masat kundër balancuese me datën 07.07.2016 kishte rekomanduar dhe vendosur masën mbrojtjes antidamping prej vlerës 0.02 euro për bllokat me përmasat 19,19,25 të importuar nga Serbia. Mirëpo ky vendim i marrë me datën 07 korrik 2016 nuk e kishte specifikuar afatin prej 5 vitesh ashtu siç ishte obliguar me ligj dhe Departamenti i Tregtisë këtu në MINT, duke u bazuar edhe në interpretimin ligjor të departamentit ligjor të kësaj ministrie, konkretisht sipas obligimeve ligjore të nenit 46, paragrafit 2 dhe nenit 47, paragrafit 5,6 dhe 7 të ligjit për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese, pas konsultimit me komisionin për vlerësimin e detyrimeve të veçanta në importe ka konstatuar se vendimi i masës mbrojtëse antidamping për bllokat standard 19,19,25 të cilët importohen nga Serbia duhet të shfuqizohen për arsye të skadimit. Pra ishte obligim ligjor. Dhe po e citoj nenin fjalë për fjalë: “Neni 46, paragrafi 2 thotë: Çdo detyrim për masat antidamping apo kundër balancues duhet të skadojë pas një maksimumi prej 5 vitesh nga vendosja e tij. Dhe sipas nenit 47, paragrafi 7 thuhet: masat e vendosura në bazë të kësaj procedure të skadimit mund të zgjasin deri në 5 vjet”, ka sqaruar ministrja HAJDARI.
Ministrja ka treguar edhe për pasojat që do të ishin nga mos shfuqizimi i kësaj mase.
“Prandaj duke i marr parasysh të gjitha këto veprime është shfuqizuar vendimi, sepse me datën 7 korrik 2021, sipas afateve ligjore, janë bërë 5 vite të zbatimit të kësaj mase. Pasojat e mos shfuqizimit të këtij vendimi, vlen të theksohet se çdo vonesë do të konsiderohej shkelje ligjore, dhe rikthim i fondeve. Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të kishte qenë e obliguar në rikthimin e fondeve dhe detyrimit të marzhës së dampingut për importuesit, përfshirë edhe penalltitë sipas ligjeve”, ka potencuar ministrja Hajdari.
Ministrja i njoftoi mediat se pas këtyre veprimeve ka vendosur të nisë hetim zyrtar për importin e bllokave nga Serbia, duke shpjeguar mënyrën ligjore.
“Sipas nenit 47 paragrafit 5, ne kemi bërë largimin e masës antidamping, në mënyrë që t’i lejohet industrisë vendore që në një afat të shpejt të paraqes kërkesën e re për shqyrtim. Kjo për faktin se MINT ka përcjellë për së afërmi sektorin e materialit ndërtimor me bazë argjilore dhe posedonte analiza si pjesë e rivlerësimit të kësaj mase. Prandaj pas shfuqizimit të masës mbrojtëse antidamping kemi realizuar takim me shoqatën e prodhuesve të materialit ndërtimor nga argjila dhe shoqata ka dorëzuar kërkesën. Pas kërkesës ne kemi ndjekur hapat e mëtutjeshëm bazuar në ligj, dhe departamenti i tregtisë i ka dërguar pyetësorin shoqatës për plotësimin e të dhënave. Me datën 2 gusht 2021 janë realizuar vizitat te kompanitë e material ndërtimor, ku kemi marrë çmimet e bllokave të importuar nga Serbia. Me datën 4 gusht 2021 është mbajtur takimi me komisionin për vlerësimin e detyrimeve të veçanta në importe. Me qëllim të trajtimit të kërkesës së shoqatës, janë analizuar hetime preliminare të realizuara nga Departamenti i Tregtisë, ku kanë rekomanduar hapjen e hetimeve. Unë si ministre kam marrë vendim për hapjen e hetimeve për importin e bllokave nga Serbia”, bëri të ditur ministrja Hajdari. /2LONLINE.com/