Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, sot, ka shënuar Ditën Botërore të Turizmit me disa aktivitete të organizuara në bashkëpunim me Komunën e Pejës dhe me shoqatat turistike të Kosovës.
Hapjen zyrtare të këtij aktiviteti i bëri ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi.
Krasniqi theksoi se ministria që ajo e drejton i ka dhënë prioritet zhvillimin në turizmit me gjëra konkrete, duke themeluar Departamentin e Turzmit.
“Për të dëshmuar përkushtimin ndaj turizmit, si sektor strategjik i zhvillimit ekonomik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka themeluar Departamentin e Turizmit, për të mundësuar që të iniciohen dhe zhvillohen politika të favorshëm si dhe për të promovuar Kosovën si destinacion turistik. Ndër tjerash, gjatë këtij viti, kemi filluar edhe me krijimin e infrastrukturës ligjore si një bazë për zgjerimin e ofertës turistike dhe sigurinë e turistëve si dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre”, deklaroi ministrja Krasniqi.
Ajo ka treguar edhe për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me Agjencinë Japoneze të Turizmit, në kuadër të shkëmbimit të përvojave me vendet mike.
“Vëmendje të veçantë po i kushtojmë zhvillimit të marrëdhënieve të mira me vendet mike në mënyrë që Kosova të jetë një destinacion i veçantë i turizmit. Së fundmi kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi në fushën e turizmit me Agjencinë Japoneze të Turizmit, ku synohet shkëmbimi i dyanshëm i informatave, përvojave dhe njohurive në fushën e turizmit përmes rritjes së numrit të turistëve ndërmjet dy vendeve”, theksoi Krasniqi.
Iniciativat e reja të MTI-së për zhvillimin e turizmit të Kosovës do të ndikojnë që Kosova të jetë destinacion i rëndësishëm turistik.