Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, ka pritur sot për takim Ministrin e Britanisë së madhe për Luftimin e Migrimit të Paligjshëm, z. Michael Tomlinson me delegacionin e tij.
Me këtë rast, ministri Sveçla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve të Ministrisë sonë, si dhe i uroi mirëseardhje pasi që për here të parë ai viziton Republikën e Kosovës.
Luftimi i migrimit të paligjshëm mbetet prioritet i Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe për këtë ministri Sveçla e njoftoi ministrin Tomlinson mbi hapat konkret që MPB ka ndërmarrë në këtë drejtim.
Ministri Tomlinson përgëzoi ministrin Sveçla për punën, gatishmërinë për bashkëpunim, dhe veçanërisht për përfshirjen e Republikës së Kosovës në task forcën e përbashkët me Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar në luftimin e migrimit të paligjshëm.
Pas takimit të dy ministrat dhe delegacionet e tyre vizituan Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ku Ministri Tomlinson pa nga afër modalitetet dhe kapacitetet përmes së cilave zyrtarët angazhohen në menaxhimin kufitar.
Pas kësaj, dy ministrat dhe delegacionet vizituan edhe pikën kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në Morinë. Atje, ata ndoqën punën e policisë kufitare dhe vlerësuan kapacitetet aktuale për menaxhimin dhe kontrollin e kufirit. /2LONLINE/