Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia priti sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Philip S. Kosnett.
Në këtë takim, Ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar për situatën rreth COVID-19 në Kosovë, për të cilën është vlerësuar se është shqetësuese dhe kërkohet respektim i masave në fuqi, pa e përjashtuar edhe plotësimin e këtyre masave me të tjera, duke u bazuar në ecurinë e situatës epidemiologjike në vend.
Në takim është theksuar se pandemia ka përkeqësuar situatën, përveç në rrafshin shëndetësor edhe në atë ekonomik e social.
Ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar edhe për fillimin e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë dhe angazhimet e Qeverisë dhe MSh për sigurimin e dozave te tjera me qëllim që të arrihet një mbulueshmëri sa më e lartë e popullatës me vaksinim.
Në këtë aspekt, Ministri Vitia e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ndihmën nga partnerët dhe është shprehur mirënjohës për SHBA-të të cilët janë një nga donatorët kryesorë të skemës globale të vaksinimit, COVAX si dhe kontributin e përhershëm për shëndetësinë në Kosovë.
Ambasadori Kosnett ka theksuar se SHBA-të përmes programeve të tyre do të vazhdojnë të jenë partner të institucioneve të Kosovës në fuqizimin e angazhimeve për përballimin e situatës me COVID-19 dhe sigurimin e një përgjigje adekuate ndaj kësaj situate, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës në Kosovë.