Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, vizituan pikën kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari” dhe Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Qëllimi i këtyre vizitave ishte për të parë për së afërmi punën dhe sfidat me të cilat ballafaqohen punonjësit e këtyre pikave, marr parasysh faktin e shtimit të fluksit me ardhjen e bashkatdhetarëve.
Data 1 korrik, edhe simbolikisht shënon hapjen e sezonit veror, kohë kjo kur edhe pritet ardhja e mërgatës sonë në Kosovë. Prandaj, në këtë datë, edhe Policia e Kosovës dhe Policia e Shqipërisë kanë filluar me patrullime të përbashkëta në disa akse rrugore në Shqipëri, për të garantuar kështu siguri maksimale për qytetarët tanë të cilët do të vizitojnë bregdetin shqiptar.
Gjatë kësaj vizite ministri theksoi se ai tashmë ka nënshkruar marrëveshjen për krijimin e lehtësirave për hyrje të bashkatdhetarëve në territorin e Republikës së Kosovës përmes së cilës MPB merr përsipër pagesën e plotë të primit të sigurimit kufitar, për ata që do të vijnë në Kosovë përgjatë vitit 2021.
Ministri theksoi edhe rëndësinë e respektimit të shenjave në trafik, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në komunikacion. Nga dje, policia ka filluar edhe me shpërndarjen e fletushkave me qëllim të sensibilizimit për të gjithë vozitësit.
“Aksidentet në trafik kanë ndjeshmëri të lartë emocionale pasi që të gjithë ne dhe familjaret tona mund të përfshihemi në aksidente me fatalitet. Prandaj, lus të gjithë qytetarët të ngasin automjetet me kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat në komunikacion”, tha ministri Sveçla.
Gjatë vizitës në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë ministri Sveçla u njoftua edhe për numrin e qytetarëve të cilët kanë kaluar nëpër këtë pikë gjatë këtij viti, ku u konstatua se krahasuar me vitet paraprake, duke përjashtuar vitin 2020, numri i personave që kanë kaluar nëpër këtë pikë është rritur për 400 mijë. /2LONLINE.com/