Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla bashkë me menaxhmentin e Policisë së Kosovës ka pritur sot në takim tre zyrtarët policorë kufitar z. Rifat Zeka, z. Beqir Sefi dhe z. Mustafë Shema, të cilët ishin kidnapuar nga njësitet policore-ushtarake të Serbisë, brenda territorit të Republikës së Kosovës, në kohën kur ata ishin në detyrë zyrtare.
Që të tre zyrtarëve policorë në seancën e sotme gjyqësore në Kralevë i’u është konfirmuar aktakuza dhe janë liruar me procedurë të rregullt, çka nënkupton se ndaj të njëjtëve do të vijojnë thirrjet dhe përndjekjet nga Serbia.
Gjendja e tyre shëndetësore fizike është relativisht e mirë por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.
Ministri Sveçla shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi. Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj. /2LONLINE/