Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla ka pritur në takim ministrin e Punëve të Brendshme të Austrisë, z. Karl Nehammer, me të cilin vunë në pah raportet e shkëlqyera që të kanë dy vendet.
Gjatë takimit u ri-theksua mbështetja e fuqishme e shtetit Austriak për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, si prioritete kryesore të Qeverisë së Kosovës, përfshi situatën në veri të vendit.
“Ju sot ndodheni në Kosovë në një moment tejet të rëndësishëm dhe tashmë jeni të njoftuar me situatën aktuale në veri të vendit tonë. Në kuadër të luftës sonë kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë, është thelbësore të theksojë se angazhimet tona në këtë drejtim nuk do të bëjnë kurrfarë dallimi, dhe se do të sigurohemi që ligjshmëria, rendi dhe ligji të sundojnë edhe në veri të vendit”, theksoi Ministri Sveçla.
Ministri Sveçla theksoi po ashtu se: “Policia e Kosovës po qëndron në pika kufitare për siguri të qytetarëve dhe respektim të plotë të vendimeve legjitime të qeverisë demokratike të Republikës së Kosovës dhe se kjo kurrsesi nuk është provokim e as kërcënim për qytetarët tanë në veri të Kosovës. Përkundrazi, ligjshmëria në veri, është parakusht për zhvillim, mirëqenie dhe prosperitet për qytetarët tanë atje. Djegia dhe shkatërrimi i institucioneve të shtetit në Zubin Potok dhe Zveçan dëshmon edhe një herë nevojën e angazhimit serioz të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Ndërsa, Ministri i Brendshëm i Austrisë, z. Karl Nehammer vlerësoi se Austria e ka partner strategjik Kosovën në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit. Ai tha se unë gëzohem shumë që jam sot këtu dhe gëzohem për të ardhmen tonë të përbashkët.
Nehammer theksoi se shteti i tij është i interesuar që të avancojë tutje bashkëpunimin mes Policisë së Austrisë dhe Policisë së Kosovës, e cila për momentin është një mision delikat sa i përket situatës në veri.
“Kosova për Austrinë është një partner i qenësishëm dhe konstruktiv sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe trafikimit. Ne kemi biseduar sot që këtë bashkëpunim dëshirojmë ta zhvillojmë dhe intensifikojmë tutje edhe në nivelin e policisë. Përpos kësaj, dua të falënderoj Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Policët e Kosovës të cilët për momentin janë në këtë detyrë të vështirë që kanë në veri. Operacioni politik bëhet me vigjilence dhe kujdes të shtuar dhe unë i kam lutur që edhe më tej të vazhdohet në këtë mënyrë, duke e ditur që për policët është një detyrë e vështirë, mirëpo njëkohësisht një detyrë posaçërisht e rëndësishme për qytetarët atje dhe për të fituar besimin në shtetin e tyre” theksoi Nehammer.
Nehammer ftoi delegacionin e Kosovës për një vizitë në Vienë, për të trajtuar edhe çështje tjera më rëndësi, siç është ajo migrimit të paligjshëm, e ku Kosova vlerësohet një partner strategjik. /2LONLINE.com/