Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me disa zyrtarë policorë, vizituan Klinikën e Pediatrisë në QKUK, me rastin e 1 Qershorit- Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Krasniqi tha se po bëjnë përpjekje maksimale që të ofrohen shërbime shëndetësore sa më cilësore, jo vetëm për fëmijët, por për të gjithë pacientët që vijnë në QKUK.
“Ajo që më së shumti kanë nevojë sot, jo vetëm fëmijët, është shëndeti dhe siguria. Ata kanë nevojë për ne që të kujdesemi për shëndetin e tyre dhe ata kanë nevojë për Policinë e Kosovës që të kujdeset për sigurinë e tyre. Këto dy shërbime janë esenciale për qytetarët dhe vendin tonë dhe ne do të bëjmë përpjekje që ato asnjëherë të mos mungojnë”, tha Krasniqi.
Ministri Sveçla, ndërkohë, u uroi shërim të shpejtë fëmijëve të sëmurë, ndërsa i siguroi ata që Policia e Kosovës është në shërbim të tyre.
“Sot është dita e fëmijëve dhe me këtë rast ne deshëm që të mbështesim familjarët që janë me fëmijë dhe t’u urojmë fëmijëve shërim sa më të shpejtë dhe t’i sigurojmë që Policia është për t’u shërbyer. Në të njëjtën kohë, të falënderojmë edhe ekipin e mjekëve dhe drejtorin për përkujdesjen ndaj fëmijëve”, deklaroi ai. /2LONLINE.com/