Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj, priti në takim shefin e Zyrës Belge në Kosovë, Jean-Louis Servais. Në këtë takim u bisedua për hapat që ka ndërmarrë Republika e Kosovës në kuadër të agjendës për integrim në Bashkimin Evropian, si dhe progresin e arritur në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Ministri Sefaj e njoftoi shefin e Zyrës Belge për progresin që qeveria e Republikës së Kosovës e ka arritur në përmbushjen e masave të parapara në kuadër të planit kombëtar për zbatimin e MSA-së.
Shefi i Zyrës Belge, z. Jean-Louis Servais, premtoi përkrahjen e mëtejme të shtetit të tij, rreth përpjekjes që po bëjnë institucionet e vendit në përmbushjen e obligimeve që çojnë përpara agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, si dhe në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Ndërkaq, ministri Sefaj falënderoi Shefin e Zyrës Belge në Kosovë, Jean-Louis Servias për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Belgjikës, sidomos në përkrahjen e ofruar në përpjekjet për anëtarësim në INTERPOL dhe arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim strategjik me EUROPOL-in.