Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot në takim përfaqësuesit e sektorit privat të shëndetësisë në Kosovë, me të cilët bisedoi për mbarëvajtjen e punëve në këtë sektor, sfidat dhe problemet që e preokupojnë atë.
Me theks të veçantë është biseduar për legjislacionin në shëndetësi, dokumentacionin shëndetësor, nevojën e zbatimit sa më të mirë të tij, por edhe ndryshimet që mund të bëhen në akte të caktuara ligjore, me qëllim që sektorët të jenë të barabartë dhe konkurrues brenda kuadrit ligjor në Kosovë.
Në këtë takim, përfaqësuesit e sektorit privat kanë vlerësuar angazhimet e Ministrisë që të rregullojë sa më shumë sektorin, implementojë politika të drejta dhe gatishmërinë që edhe përfaqësuesit e këtij sektori të jenë të përfaqësuar në grupe të ndryshme pune, me rastin e hartimit të strategjive, ligjeve dhe akteve nënligjore në sektorin shëndetësor.
Në takim është biseduar edhe për licencimin dhe rilicencimin e profesionistëve shëndetësor në pajtim me ligjet në fuqi si dhe është kërkuar një monitorim i vazhduar i sektorit dhe krijimi i mundësive që institucionet t’i zhvillojnë shërbimet shëndetësore në pajtushmëri me avancimet në fushën e shëndetësisë dhe të mjekësisë.