Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, me protokollin më të lartë shtetëror dhe ceremoni të lartë ushtarake, Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, u prit në takim nga homologu i tij dhe nikoqiri, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar. Dy ministrat zhvilluan takimin kokë më kokë, për të vazhduar pastaj kryesimin e takimit ndërmjet dy delegacioneve.
Gjatë këtij takimi, ministri Akar theksoi miqësinë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në përgjithësi dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet dy ministrive dhe forcave në veçanti. Ai theksoi, nevojën e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve, ministrive dhe forcave si dhe rëndësinë e bashkëpunimin në të mirën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Në takim u diskutuan bashkëpunimi bilateral në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e industrisë së mbrojtjes.
Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Anton Quni, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për rolin dhe kontributin e madh të shtetit, qeverisë dhe Forcave të Armatosura të Turqisë në ndërtimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit tonë, vet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ndër të tjera, ministri Quni, ritheksoi se partneriteti me Republikën e Turqisë si vend shumë i rëndësishëm i NATO-s, Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare dhe Forcat e Armatosura të Turqisë do të vazhdojë të jetë i fuqishëm në perspektivën tonë zhvillimore për të arritur aftësitë, kapacitetet dhe standardet më të larta operacionale për ofrimin e shërbimit tonë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Gjatë takimit, me ministrin Akar dhe delegacionin e tij , ministri Quni shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, shefi i Kabinetit të Ministrit, Jashar Ramadani, atasheu Ushtarak në Ankara, kolonel Bekim Osmani dhe drejtori i departamentit për Bashkëpunim Ushtarak dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha.
Takimi u realizua, në kuadër të vizitës zyrtare katër ditore të ministrit Quni dhe delegacionit të tij me ftesë të homologut të tij, ministrit Akar dhe do të vazhdoj me aktivitete tjera me strukturat udhëheqëse të ministrisë, forcave të armatosura dhe industrisë së mbrojtjes./2LONLINE.com/