Ministri i Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj ka pritur në takim, Zëvendëskryeministrin e parë, njëkohësisht ministrin e Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli, me të cilën biseduan për prioritetet e dy ministrive në ndërlidhjen e veprimeve me qëllim të realizimit të objektivave shtetërore.
Theks i veçantë u vu në koordinimin e veprimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrinë së Punëve të Jashtme në angazhime konkrete, sa i përket anëtarësimit të Republikës së Kosovës në INTERPOL dhe organizata tjera të rëndësishme të sigurisë në botë.
Të dy ministrat theksuan se ekipet teknike të Republikës së Kosovës kanë bërë përgatitjet e duhura sa i përket anëtarësimit në INTERPOL, mirëpo tashmë është i rëndësishëm që të ketë angazhim politik për arritjen e këtyre objektivave madhore për Kosovën dhe për ketë është shumë e nevojshme edhe mbështetja e shteteve mike.
Ministri Sefaj përgëzoi ministrin Pacolli për krijimin e Grupit Punues për Koordinimin dhe Mbështetjen e Procesit të Anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai tha se kjo nismë është në kuadër të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimit të vendit tonë në sa më shumë organizata ndërkombëtare.