Interpoli dhe Kosova

Interpoli dhe Kosova

Kohëve të fundit tema e anëtarësimit të Kosovës në Interpol sikur është rikthyer në tavolinë dhe agjendat shtetërore të vendit tonë.

SHkruan: Bekim Thaqi

Normalisht, aplikimi në Interpol do të duhet të ishte një proces i vazhdueshëm dhe i arsyeshëm, duke parë mundësitë që do të zgjeroheshin në shkëmbimin e informatave, përvojave dhe zbatimin më të mire të marrëveshjeve me vendet anëtare të Interpolit.

Qasja në Interpol ka shumë benefite si për policinë e Kosovës, ashtu edhe për Ministrinë e punëve të Brendshme, dhe në aspektin ndërkombëtar do të paraqiste edhe një mundësi më të madhe për afirmimin e shtetit të Kosovës në arenën ndërkombetare.

Mirëpo, në këtë vit duhet të merret parasysh edhe momentumi dhe disponimi i vendeve anëtare dhe gjithashtu edhe gatishmëria e aleatëve tanë për ta dërguar procesin deri në fund. Mendoj se asesi nuk do të dëshironim të na përsëritet viti i kaluar dhe dështimi i anëtarësimit në Interpol.

Hedhja e fajit sa andej e këndej nuk na ndihmon shumë pasi duhen bërë analiza dhe studime para procesit dhe një lloj studimit i fizibilitetit para se të aplikohet sërish në këtë organizatë.

Me gjithë situatën momentale në botë dhe ndoshta momentumin jo të përshtatshëm për krijimin e një klime dhe lobimi të mirëfilltë për anëtarësim këtë vit Kosova do duhej të pauzonte dhe të përgadiste një strategji më efektive dhe më imponuese , me një koordinim sa më të mire me vendet të cilat e përkrahin Kosovën dhe ku i gjithë procesi do të kurorëzohej me pranim në Interpol.

Më mirë të përgaditemi ashtu si duhet dhe të presim një ose dy vite se sa të harxhojmë kot energji dhe para dhe në fund të mbesim duarthatë dhe bile të krijojmë një klimë disfatiste e cila nuk na duhet në asnjë moment dhe asnjë mënyrë.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE