Në Republikën e Shqipërisë po mbahet takimi i dytë koordinues në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në nëntor të vitit 2018 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Pejë.
Në kuadër të këtij takimi është diskutuar për zbatimin e “Marrëveshjes mes dy vendeve për hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar” dhe përmirësimi i infrastrukturës në pikën kufitare Morinë-Vërmicë.
Ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa theksoi se kjo marrëveshje ka për qellim lehtësimin e qarkullimit kufitar të njerëzve dhe mallrave, duke thjeshtuar dhe përshpejtuar verifikimet kufitare, por njëkohësisht duke siguruar zbatimin e standardeve të kontrollit kufitar.
“Kjo Marrëveshje që nga dita e nënshkrimit ka filluar të implementohet, në atë që tani është Pika e Përbashkët e Kalimit të Kufirit Vermicë/Morinë. Përndryshe, marrëveshja është në proces për tu zbatuar edhe në pikat tjera të kalimit të kufirit Kosovë – Shqipëri”, theksoi ministri Mustafa.
Ai tha se që nga fillimi i implementimit, në Piken e Përbashkët të Kalimit të Kufirit, aplikohet modeli i kontrollit kufitar hyrje/hyrje. Ky model shpejton procedurat e kontrollit kufitar, pa cenuar sigurinë kufitare, pasi që palët kanë ndërlidhur sistemet e kontrollit kufitar dhe të dhënat barten në sistemet e dyja palëve në kohë reale.
Ministri Mustafa vuri në dukje se në implementimin e marrëveshjes ka disa vështirësi për shkak të hapësirës relativisht të vogël dhe infrastrukturës aktuale në pikën Vermicë/Morinë.
Po ashtu ministri i Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa, foli edhe për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve.
Ai tha se Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme si juridike ashtu edhe teknike, janë prodhuar certifikatat e vërtetimit dhe vlefshmërisë; janë realizuar funksionalizimet e nevojshme elektronike dhe jemi të gatshëm për përmbushjen e kësaj marrëveshje.
“Marrëveshja mbi pranimin reciprok të patentë-shoferëve, tani po hyn në fazën e implementimit.
Kushtet për implementim janë arritur me datën 6 Maj 2019, pas pranimit të konfirmimit nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë, se i kanë përfunduar të gjitha procedurat legjislative sa i përket miratimit”, tha ministri Mustafa.