Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, si dhe delegacioni i tij, pritën në takim Shefin e Shtabit të Ushtrisë Kroate, admiralin Robert Hranj, me delegacionin përcjellës.
Krahas diskutimit për nivelin e lartë të bashkëpunimit bilateral, në këtë takim u diskutua edhe rreth situatës aktuale gjeopolitike pas agresionit rus në Ukrainë, ndikimit në mjedisin e sigurisë në Ballkan, si dhe rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet shteteve aleate të këtij rajoni për t’i luftuar sulmet hibride.
Ministri Mehaj në këtë takim njoftoi Admiralin Hranj rreth avancimeve të FSK-së, si dhe funksionin që do ta ketë Agjensioni i Inteligjencës për Siguri, nëpërmjet të cilit do rritet edhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve në menaxhimin e informacioneve të rëndësishme në aspektin e sigurisë.
Gjithashtu u bisedua edhe për nënshkrimin e marrëveshjes SOFA, bashkë-zbarkimin e forcave të të dyja shteteve, si dhe për rëndësinë e përkrahjes së shtetit tonë mik Kroacisë, në procesin e anëtarësimit në Programin e Partneriteti për Paqe, si rrugë drejt anëtarësimit në familjen e madhe euroatlantike, në NATO. /2LONLINE/