Në kuadër të zbatimit të politikave për bashkëpunim ndërinstitucional, shoqërinë civile dhe mediet, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj i shoqëruar nga Zv. Ministri Shemsi Syla, priti në takim përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.
Me këtë rast, Ministri Mehaj i njoftoi me të arriturat e deritashme, zhvillimet në proces si dhe objektivat për të ardhmen, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për rolin dhe kontributin e organizatat e shoqërisë civile në këto të arritura.
Ai gjithashtu, theksoi se bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile është tejet i rëndësishëm në procesin e politikë-bërjes në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në përgjithësi sistemin tonë institucional.
Në vazhdim të takimit u diskutua për çështjet me interes të përgjithshëm nga fushëveprimtaria sektoriale e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe kontributin potencial të organizatave të shoqërisë civile në këto çështje.
Nga diskutimet e përgjithshme u vlerësua se shoqëria civile është burim i rëndësishëm informacioni si për qytetarët ashtu edhe për Ministrinë e Mbrojtjes dhe gjithë spektrin institucional, përmes eksperiencës shumë të dobishme në monitorimin dhe hartimin e politikave, si dhe mbështetjes dhe monitorimit të zbatimit të këtyre politikave në vazhdimësi.
Në fund, nga pjesëmarrësit u vlerësua lartë kjo iniciativë e Ministrit Mehaj duke u pajtuar që ky bashkëpunim të jetë i vazhdueshëm edhe në të ardhmen në funksion të së mirës së përbashkët. /2LONLINE/