Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, me ftesë të Shoqatës Ndërkombëtare të Operacioneve të Stabilitetit të SHBA-së, po merr pjesë në Konferencën “ISOA 2022”, të organizuar në Shtutgart, të Republikës së Gjermanisë.
Në fjalimin e tij, të mbajtur në këtë konferencë, Ministri Mehaj u shpreh se kjo është një mënyrë e shkëlqyer për t’u njohur me njëri-tjetrin, të shkëmbehen ide dhe mendime dhe të kuptohen këndvështrimet e njëri-tjetrit.
“Marrë parasysh se sa mirë shkoi takimi ynë i fundit në Uashington DC, unë besoj se kështu arrihet përparimi – duke përmbushur sfidat globale përmes zgjerimit të bashkëpunimit tonë dhe shkëmbimit të praktikave më të mira, sepse sfidat globale kërkojnë qasje globale”, tha Ministri Mehaj, duke shtuar se ky është pikërisht lloji i partneritetit që nevojitet tani, duke treguar se si risitë dhe angazhimi i qeverisë mund të ndihmojë të shpije vendet drejt një të ardhmeje më paqësore dhe më të begatë.
Duke folur për situatën e sigurisë në Evropë dhe në botë, Ministri Mehaj tha se situata destabilizuese e sigurisë në Rusi dhe Ukrainë, prekë Evropën dhe Ballkanin.
Më tej, ai theksoi se si një vend i lirë dhe demokratik, Kosova mbështetë fuqishëm Ukrainën dhe dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë.
“Ne qëndrojmë të vendosur përkrah partnerëve tanë dhe vlerave të demokracisë.
Synimi kryesor i vendit tonë është anëtarësimi në NATO dhe BE. Kjo çështje shkon shumë përtej politikës, ky është përafrim i natyrshëm me vlerat që ne, populli i Kosovës i përmbahemi”, tha Ministri Mehaj.
Në përfundim të fjalimit, Ministri Mehaj theksoi se Kosova ka krijuar 10 zona të lira ekonomike që ofrojnë lokacion të favorshëm gjeografik, mjedis të favorshëm biznesi, kosto më të ulëta operative, infrastrukturë të gatshme për shfrytëzim, dhënie me qira të lokaleve afariste dhe kushte të tjera të favorshme.
“Për këtë arsye, ftoj secilin prej jush të vini në Kosovë dhe të shihni potencialin për investime dhe mundësitë për bashkëpunim”, theksoi Ministri Mehaj.
Gjatë kësaj konference, Ministri Mehaj përveç prezantimit të tij në sesionet e konferencës, do të takohet edhe me personalitete të shquara ushtarake amerikane, liderë të kompanive të njohura të industrisë së mbrojtjes amerikane, ekspertë, etj.
Gjithashtu, në këtë konferencë po merr pjesë edhe Zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi. ISOA-së është asociacioni i prodhuesve më të mëdhenj amerikanë të industrisë së mbrojtjes. /2LONLINE/