Me ftesë zyrtare të ministrit turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, sot ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, filloi vizitën katër ditore në Republikën e Turqisë, me fokus pjesëmarrjen në Panairin e 15-të Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes, IDEF-21.
Gjatë katër ditëve të këtij panairi, të mbajtur në Stamboll, ndër më të njohurit në botë, ministri Mehaj, i shoqëruar nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, përveç takimit me ministrin Akar, do të takohet edhe me homologë të tjerë nga shtete të ndryshme partnere dhe shtete me të cilat Ministria e Mbrojtjes është në proces të krijimit të bashkëpunimit bilateral.
Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve të panairit, ministri Mehaj, do të takohet me liderë përfaqësues të kompanive të ndryshme të industrisë së mbrojtjes pjesëmarrëse nga 83 shtete të botës.
Me këtë rast, ministri Mehaj theksoi se “kjo është një mundësi shumë e mirë të njihemi me produktet që ndërlidhen me objektivat tonë në funksion të ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-se në procesin e të tranzicionit”.
Panairi Ndërkombëtar i Industrisë së Mbrojtjes (IDEF) i cili organizohet çdo dy vjet nga Fondacioni i Forcave të Armatosura të Turqisë është panair ku ekspozohen produktet të teknologjisë ushtarake më bashkëkohore.
Si një ndër panairet më të mëdha në botë të kësaj fushe, ky panair bashkon ministra dhe shefa të mbrojtjes të shteteve të ndryshme, institucione dhe ekspertë, si dhe audiencë shumë të gjerë të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes nga mbarë bota. /2LONLINE.com/