Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar në NATO, si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili për disa vite me punën e tij të shkëlqyer i shërbeu rritjes së bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në takimin lamtumirës me ambasadorin Abbott, ministri Maqedonci e falënderoi atë për mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë të rëndësishme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe veçanërisht për kontributin në heqjen e vizave për personelin civil dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Ministri theksoi faktin se shteti britanik ka qenë dhe është aleat i Kosovës në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e vendit tonë, si dhe ruajtjen e vlerave demokratike dhe se ambasadori Abbott do të mbetet mik i përjetshëm i Republikës së Kosovës. /2LONLINE/