Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka priti sot një delegacion të deputetëve të Parlamentit të Austrisë dhe eurodeputetë të Partisë Popullore të Austrisë, që shoqëroheshin edhe nga Ambasadori austriak në Prishtinë, Gernot Pfandler, të cilët i informoi mbi zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, me theks të veçantë për sektorët që mbulon portofoli i Ministrisë që drejton.
Ministri Lluka njoftoi deputetët austriakë me angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të reformuar kornizën ligjore dhe institucionale me qëllim të përmirësimit të mjedisit për investime të huaja.
Kreu i MZHE-së, me këtë rast foli për projektet në zhvillim e sipër në sektorët si energjia, miniera, teknologjia e informacionit, që konsiderohen sektorë strategjikë për zhvillim ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.
Ministri foli edhe për projektin kapital në sektorin e energjisë, siç është Termocentrali “Kosova e Re”, ndër investimet më të mëdha në vend, që pritet t’i japë shtytje të rëndësishme zhvillimit të këtij sektori por jo vetëm.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi Lluka foli edhe për projektin në TIK, KODE Kosovo Digital Economy, që realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore, e që për qëllim ka shtrirjen e internetit në tërë territorin e Kosovës.
Ministri nënvizoi edhe investimet në sektorët tjerë si ai i ujërave dhe menaxhimin e mbeturinave, që janë realizuar dhe po realizohen me ndihmën e donatorëve, që kanë ndikim direkt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.