Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqin, i shoqëruar nga përfaqësues të bizneseve të gastronomisë.
Në takim u diskutua rreth masave të reja, të marra nga Qeveria e Kosovës, për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19, në kuadër të së cilave preket edhe gastronomia.
Ministri Krasniqi e falënderoi kryetarin e OEK-së, Berat Rukiqin, që po i del në ndihmë institucioneve duke përfaqësuar zërin e bizneseve. Ai theksoi se bashkëpunimi i dyanshëm ka rëndësi të madhe në situatën aktuale në të cilën gjendemi.
Ministri i njoftoi të pranishmit se ka krijuar një trupë të brendshme në ministri për t’i trajtuar ankesat e bizneseve, që do të ndihmojë në sqarimin e paqartësive të bizneseve lidhur me masat e reja, dhe njëkohësisht këto ankesa do të adresohen edhe në Zyrën e Kryeministrit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se është e rëndësishme të sqarohen edhe njëherë masat e reja për lokalet e gastronomisë lidhur me shërbimin “Delivery” dhe “Take away”, si dhe çështjen e lejimit të punës për pishinat e hapura.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë kërkuan ndëshkimin e lokaleve të cilat nuk i respektojnë masat kundër pandemisë CoVID-19, si dhe shprehën interesimin lidhur me atë se në çfarë mase do të subvencionohen këto biznese në kuadër të Pakos për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Gjatë takimit, ministri Krasniqi i informoi këta edhe për projektin, që do të implemetohet së shpejti, për punësim të të rinjve, të cilët do të paguhen nga Qeveria e Kosovës.