Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, priti në takim shefin e ri të misionit të UNHCR-it në Kosovë, Erol Arduc, i cili shoqërohej nga Narasimha Rao, ish-shef i misionit.
Fillimisht ministri Gashi i uroi për detyrën z, Arduc, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me misionin e UNHCR-it në Kosovë, ministri Gashi shprehi gatishmërinë për bashkëpunim edhe me shefin e ri, me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta.
Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për projektet e përbashkëta të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe UNHCR-së në fushën e migrimit, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës janë duke menaxhuar mirë çështjen e azilkërkuesve në Kosovë.
Ministri Gashi falënderoi z. Rao për punën që ka bërë gjatë misionit të tij, veçanërisht për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Me këtë rast ministri Gashi i njoftoi edhe për rezultatet konkrete të realizuara nga MPB-ja në fushën e migrimit, duke konstatuar se Republika e Kosovës tashmë ka konsoliduar një mekanizëm funksional në fushën e migrimit dhe po punohet në ngritjen e kapaciteteve operacionale në këtë fushë.
Ndërsa –ish- shefi i misionit të UNHCR në Kosovë, z. Narasimha Rao, e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe MPB-në në përgjithësi, për mundësitë që gjatë qëndrimit të tij në Kosovë të gjejë partner serioz për të realizuar objektivat e përbashkëta. Ai theksoi se bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe më shefin e ri.