Ministri i Mbrojtjes z. Rrustem Berisha ka pritur sot në takim deputetin federal të Kanadasë, njëherësh kryesues i Asamblesë Parlamentare kanadeze të NATO-s, z. Borys Wrzesnewskyj të shoqëruar edhe nga ambasadori i Kanadasë që mbulon edhe Kosovën z. Daniel Maksymiuk.
Ministri Berisha, pasi falënderoi z. Wrzesnewskyj për ndihëm dhe përkrahjen e madhe të Kanadaja ka dhënë për Kosovën, e njoftoi edhe me zhvillimet e fundit, miratimin e ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Kuvendi i Kosovës, në mënyrë unanime ka miratuar tri ligjet për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përkrahja e marrë prej 107 deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi, na ka bërë që të punojmë edhe më shumë në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive tona”, ka thënë ministri Berisha.
“Mandati i ri i FSK-së, do të ruaj karakterin profesional, me mision mbrojtës. Një Forcë e hapur për të gjithë qytetarët dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne jemi zotuar se rajoni do të ketë edhe një forcë aleate, të ndërveprueshme me aleatët dhe në shërbim të krijimit dhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon dhe më gjerë, jo vetëm konsumues por edhe ofrues të paqes. Përkrahja e Kanadasë edhe në këtë proces është shumë domethënëse për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në”, – u shpreh ministri Berisha.
Z. Borys Wrzesnewskyj, ka falënderuar ministrin Berisha për informimin e detajuar lidhur me zhvillimet në MM dhe FSK dhe ka shprehur edhe njëherë përkrahjen e Kanadasë për proceset në të cilat po kalon Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.