Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën ekipin e Komunikimit nga Garda Kombëtare e Ajovës të cilët janë në Kosovë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh.
Në këtë takim u diskutua për arritjet e FSK-së në bashkëpunimin me Gardën Kombëtare të Ajovës e po ashtu edhe aktivitetet e realizuara në këtë vizitë që qëllim primar kishte thellimin e njohurive teknike për pjesën e sistemeve të IT-së, kapacitetet e mbrojtjes kibernetike dhe kapacitetet e radio komunikimit taktik.
Ministri Maqedonci dhe Gjeneral Jashari vlerësuan lartë kontributin dhe ndihmën që Garda Kombëtare të Ajovës kanë dhënë në funksion të ngritjes së kapaciteteve të komunikimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Gjithashtu së bashku u dakorduan për bashkëpunim të mëtutjeshëm në zhvillim të mëtutjeshëm të këtyre kapaciteteve.
Ekipi i Gardës Kombëtare të Ajovës, ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për fushën e komunikimit në FSK, duke ofruar shembullin më të mirë në rrugën e ngritjes së kapaciteteve si në aspektin e personelit e po ashtu edhe në atë të modernizimit të pajisjeve. Ata po ashtu kanë ofruar ekspertizën e tyre edhe në pjesën doktrinare dhe procedurale të fushës së komunikimit. /2LONLINE/