Në Ministrinë e Mbrojtjes u mbajt konferenca për media, ku ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj iu adresua të pranishmëve me përmbledhje të informacioneve më të rëndësishme lidhur me të arriturat gjatë vizitës zyrtare në SHBA, si ministër i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, ministri Mehaj ka realizuar takimet në nivelet më të larta politikbërëse dhe vendimmarrëse të SHBA-së në fushën e sigurisë, të mbrojtjes dhe diplomacisë amerikane.
Në vijim ju paraqesim fjalimin e plotë të ministrit Mehaj të mbajtur në këtë konferencë:
Mirë se erdhët në konferencën për media, me qëllimin e njoftimit nga afër, me rrjedhën e vizitës zyrtare në SHBA, gjatë javës që lamë pas.
Me nderin dhe privilegjin e veçantë, ju njoftoj se kjo vizitë e imja, ishte vizita e parë e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës në SHBA.
Në cilësi të Ministrit të Mbrojtjes, jam pritur dhe kam zhvilluar takime shumë përmbajtësore me autoritetet më të larta të vendimmarrjes dhe politikëbërjes amerikane.
Pra, jam pritur dhe kam takuar autoritetet e larta të Departamentit të Mbrojtjes, Departamentit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare që është pjesë e Zyrës Ekzekutive të Presidentit të SHBA-së.
Vlen të ceken, takimet me:
· Zëvendësndihmës-sekretarin amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherit të dërguarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.
· Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, znj. Robin S. Brooks.
· Nën-Sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes, Dr. Colin Kahl.
· Shefin e Byrosë së Gardës Kombëtare, Gjeneral Daniel R. Hokanson.
· Zv.Asistenten e Sekretarit të Mbrojtjes, znj. Laura Cooper.
· Drejtoreshën e Agjencisë së Bashkëpunimit të Sigurisë së Mbrojtjes të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, znj. Heidi Grant.
Pastaj,
· Kam takuar dhe mbajtur ligjëratë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare para përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, profesorëve dhe akademikëve nga universitete të shquara në SHBA.
· Në Këshillin Atlantik, para ish-diplomatëve, ambasadorëve dhe njohësve të shumtë të rajonit tonë, çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në ekspozitën vjetore “AUSA 21”, isha i ftuar zyrtarisht nga presidenti i Shoqatës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, gjeneral Carter F. Ham.
Gjatë kësaj ekspozite, kam takuar Drejtorin e Kompanisë Këshilluese të Agjencitë Federale Civile dhe të Mbrojtjes. Gjeneral Randal Dragon, Presidentin e Shoqatës së Biznesit, SHBA- Evropë Qendrore (ACEBA), z. Eric Stewart si dhe udhëheqësit e disa kompanive amerikane shumë të fuqishme të industrisë së mbrojtjes.
Meqë edhe vet jam nga diaspora shqiptare, sikur edhe në çdo vizitë jashtë Kosovës, vend të veçantë në agjendën time zë edhe takimi me shoqatat, përfaqësuesit dhe veprimtarët e shquar të diasporës sonë.
Gjithashtu, me kënaqësi mund të ju informoj se Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, na konfirmoi fuqishëm përkrahjen për Kosovën, si partnere dhe eksportuese e paqes në nivelin global.
Si dëshmi që potencuan vazhdimisht, ishin:
· Bashkëzbarkimi në misionin paqeruajtës përkrah ushtrisë amerikane,
· Stërvitja e forcave amerikane me aleatë, “ Defender-Europe 21”, dëshmi e rolit të Kosovës në sigurinë dhe mbrojtjen rajonale.
· Mbështetja në operacionin humanitar për akomodimin e refugjatëve afganë, në kuadër të operacionit të NATO-s, të udhëhequr nga SHBA.
· Ri konfirmimi i përkrahjes së plotë drejt integrimeve euroatlantike.
Nga ana ime, në të gjitha takimet, falënderova për përkrahjen e vazhdueshme dhe partneritetin e shkëlqyeshëm, shpreha gatishmërinë maksimale për thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë, për ndërveprueshmërinë ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Amerikane, me stërvitje të përbashkëta, për mundësinë për bashke zbarkime të reja në misione të përbashkëta me Ushtrinë Amerikane, si dhe ofertën për bazën e përhershme ushtarake të Ushtrisë Amerikane në Kosovë.
Gjithashtu i njoftova me objektivat e mi në aspektin e brendshëm, si:
· Rritja e transparencës dhe llogaridhënies në MM/FSK;
· Forcimi i kontrollit civil demokratik; si dhe
· Ndryshimet ligjore, si domosdoshmëri për rrethanat e reja të zhvillimeve gjeopolitike në Ballkan.
Në kuadër të diskutimeve për konkretizimin e Planit të Bashkëpunimit Bilateral, u dakorduam për veprime konkrete si në vijim:
· Mbështetje për anëtarësimin në Kartën e Adriatikut –SHBA (A5) dhe Programin e Partneritetit për Paqe,
· Blerje ushtarake përmes Programit FMS (Foreign Military Sale),
· Thellim të bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të IOËA-s
· avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes kibernetike, si dhe
· rritjen e pjesëmarrjes në ushtrime dhe misione të përbashkëta ndërmjet Ushtrisë Amerikane dhe FSK-së.
Të arriturat tona gjatë periudhës qeverisëse shtatë mujore janë të prekshme në të gjitha fushat e zhvillimit dhe avancimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Kam kënaqësinë që në këtë takim me ju të ju njoftoj se sot zyrtarisht shpallim të hapur konkursin për pranimin e 840 ushtarëve të rinj në FSK.
· Ky është konkursi për pranimin e numrit më të madh të ushtarëve në FSK deri më tani.
· Njoftoj të gjithë të rinjtë e të rejat e vendit tonë, të të gjitha komuniteteve pa dallim, që dëshirojnë të jenë pjesëtarë të FSK-së, që të na bashkohen për shërbim ndaj vendit.
· Ministria e Mbrojtjes, të gjithë të interesuarve, ju garanton proces fer dhe transparent,
· Do të zbatohen plotësisht procedurat dhe kriteret ku do të zgjidhen “Më të mirët prej më të mirëve”.
Forca e Sigurisë së Kosovës është Ushtria e vendit, force profesionale, multi etnike dhe në shërbim të të gjithë qytetareve pa dallim të përkatësisë etnike.
Nga pozita e ushtarakut, ju rikujtoj se shërbimi në ushtrinë e vendit është detyrim i shenjtë, borxh dhe nderë ndaj historisë sonë të dhimbshme por të lavdishme.
Detyra, nderi dhe atdheu janë amaneti i të gjithë paraardhësve tanë që sakrifikuan gjithçka për lirinë, pavarësinë dhe shtetin që sot po e gëzojmë.
Andaj, shfrytëzoj rastin të ftoj të gjithë të rinjtë e të rejat e vendit, që të konkurrojnë pa hezitim, sepse FSK është e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shërbimi ndaj saj është obligim i përbashkët. /2LONLINE.com/