Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(MFSK), zotëri Rrustem Berisha priti për herë të parë në takim shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Republikën e Kosovës, zotëri Ljubomir Batary.
Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe shefit të Zyrës sllovake u bisedua për aktualitetin politik dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë, si dhe për angazhimin e dy institucioneve të të dyja vendeve për gjetjen e mundësive dhe fushave të bashkëpunimit me interes.
Me këtë rast, ministri Berisha e falënderoi diplomatin sllovak për kontributin që ka dhënë Republika e Sllovakisë në kuadër të KFOR-it për FSK-në. Po ashtu e njoftoi atë mbi zhvillimin e FSK-së, profesionalizimin, integrimin e komuniteteve dhe grave, si dhe për sukseset e vazhdueshme të pjesëtarëve të FSK-së kudo në shkollime, trajnime dhe operacione të ndryshme jashtë vendit. Gjithashtu, ministri Berisha e njoftoi Z. Batary edhe me gatishmërinë e FSK-së për të kontribuar, me kapacitete të veçanta specialistike, në të mirë të paqes së përgjithshme kudo ku ka nevojë.
Më pas, ministri Berisha në pika të shkurtra shpalosi ecurinë e aktiviteteve rreth transformimit të FSK-së, duke ripërsëritur faktin se transformimi do të jetë transparent, i koordinuar dhe do të bëhet me konsensus të plotë të faktorit të brendshëm politik.
Nga ana e tij, shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë, z. Ljubomir Batary e konfirmoi gatishmërinë e shtetit sllovak për mbështetjen e Kosovës në shumë fusha, duke qenë se Sllovakia e konsideron Kosovën si vend mik: ,, Qëllimi ynë është fleksibil dhe pragmatik, që të ndihmojmë Kosovën që të mos mbetet prapa.’’, -tha ai.
Në fund, z. Batary shprehu gatishmërinë për identifikimin e fushave të bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë.