“Pranimi i detyrës së Ministrit të Financave dhe Transfereve për mua është nder dhe përgjegjësi e madhe dhe jam i bindur që së bashku me ju do ta japim maksimumin në mënyrë që gjërat të ecin në drejtim të duhur në implementimin e programit të Qeverisë Kurti” u shpreh gjatë pranimit të detyrës ministri Besnik Bislimi.
Me këtë rast ministri Besnik Bislimi e falënderoi ministrin në largim Lulzim Rafuna për punën dhe kontributin e dhënë deri më tani dhe shtoi se duke pasur parasysh se e njeh një pjesë të stafit të Ministrisë kjo e bën që të ndihet më i sigurt në hapat në vazhdim pasi që në kuadër të MF-së gjithherë ka pasur dhe ka njerëz të përgatitur dhe të përgjegjshëm për punë.
Ai gjithashtu theksoi se duke pasur parasysh programin e Qeverisë neve na presin punë të mëdha dhe për këtë jam i sigurt që së bashku do ta arrijmë realizimin e tij.
Ndërsa ministri i deritanishëm Lulzim Rafuna gjatë pranim-dorëzimit të detyrës së ministrit e uroi ministrin e ri Besnik Bislimi për pozitën e re dhe theksoi se ka kënaqësinë që po e dorëzon sot detyrën e ministrit dhe se ky pranim-dorëzim po ndodh në kohën kur bilanci bankar është mbi 494 milionë euro, po ashtu edhe afër 500 milionë euro shtesë të cilat janë për projektet e kontraktuara, deficiti është 0,7% dhe është nën normën e planifikuar.
Kjo është një siguri e madhe sa i përket gjendjes financiare të shtetit të Kosovës tha Lulzim Rafuna gjatë dorëzimit të detyrës së ministrit, ku edhe njëherë i uroi suksese në detyrën e re ministrit të Financave dhe Transfereve z. Besnik Bislimi.