Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Bejtush Gashi po qëndron në një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë ku sot u takua me homologun e tij Fatmir Xhafaj.
Të dy ministrat kanë nënshkruar Protokoll bashkëpunimi gjatë sezonit turistik veror në pikat e kalimit kufitar në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë.
Nënshkrimi i këtij Protokolli është bërë me synim intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, zbatimin e legjislacionit në fushën e kontrollit kufitar dhe për të forcuar bashkëpunimin midis policive të të dyja vendeve nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta.
“E falënderova Ministrin Xhafaj për mikpritjen dhe diskutuam për tema të interesit të përbashkët, për mbarëvajtjen e sezonit veror për faktin se siguria është parakusht që njerëzit të jenë të lirshëm dhe të kalojnë pushimet sa më mirë. Gjithashtu në interes të diskutimit ishte sfida me të cilin lidhen të dy shtetet për parandalimin e rreziqeve dhe fenomenit me theks të veçantë të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Për parandalimin e këtyre fenomeneve, ne si dy shtete, kemi një bashkëpunim i cili duhet intensifikuar dhe të reagojmë në kohë dhe të ndikojmë që këto fenomene të zvogëlohen.
Të dy shtetet deri tani kanë mposhtur rreziqet që ka në këtë drejtim, kemi qenë të suksesshëm. Megjithatë kjo nuk na bën të ndihemi të relaksuar karshi rreziqeve që mund të vijnë. Trajtova dhe fenomenin e lëvizjeve të mundshme të emigrimit të paligjshëm ku rajoni jonë është i prekur, si fenomen që tërheq pas vetes dhe probleme sociale dhe problemin e inkriminimit të grupeve terroriste që mund të jenë të infiltruar në këtë lëvizje dhe në këtë drejtim. Shprehëm mundësi dhe kapacitetet që kemi, që të përgjigjemi karshi këtyre fenomeneve.” u shpreh ministri Gashi.
Gjithashtu ministri Gashi potencoi se bashkëpunimi mes dy Ministrive përkatësisht Agjencive do të intensifikohet dhe shpresojmë se në takimet e radhës do të mund të dalim me rezultate konkrete në fushën e bashkëpunimit ndërshtetëror.
“Besoj fort që midis dy Ministrive dhe dy Policive tona, do të vazhdojë të ketë një bashkëpunim më intensiv në interes të popujve tanë, në interes të të gjithë shqiptarëve, në interes të sigurisë së vendeve tona, të rendit, qetësisë që iu ofrojmë njerëzve tanë, në dy anët e kufirit. U dakorduam për të pasur një axhendë të përbashkët bashkëpunimi në muajt në vijim.” – tha ministri Xhafaj.
Duke u bazuar në Protokollin në fjalë, kontrolli kufitar do të kryhet sipas drejtimit të lëvizjes, ku punonjësi i policisë shqiptare kryhen regjistrimin në dalje të territorit të Republikës Shqipërisë dhe punonjësi i policisë kosovare kryen regjistrimin në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës dhe anasjelltas.
Procedurat e përbashkëta mund të ndryshojnë ndërmjet negociatave dhe me miratim të ndërsjellët midis palëve.
Gjatë zbatimit të këtyre procedurave të kontrollit të përbashkët, zyrtarët policorë do të mbajnë lista e përpunimit të automjeteve me procedurë të lehtësuar, ku do të shënohet vetëm targa e mjetit dhe numri i personave që janë në mjet në momentin e kalimit të kufirit.