Ministri Gashi po merr pjesë në Samitin e Londrës në kuadër të Procesit të Berlinit

Ministri Gashi po merr pjesë në Samitin e Londrës në kuadër të Procesit të Berlinit

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bejtush Gashi, po merr pjesë në Samitin e Londrës, në kuadër të Procesit të Berlinit, ku po marrin pjesë ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të shteteve të Procesit të Berlinit dhe institucioneve në fushën e sigurisë.

Samitin e hapi ministri i Shtetit për Sigurinë dhe Krimin Ekonomik i Mbretërisë së Bashkuar, z. Ben Wallace, i cili trajtoi rëndësinë e sigurisë, terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, krimeve të rënda dhe të organizuar.

Në këtë samit, ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bejtush Gashi duke diskutuar çështjet ndër sektoriale të sigurisë, vuri në dukje përpjekjet që po bën Republika e Kosovës sa i përket Luftës kundër Terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Më këtë rast ministri Gashi theksoi se terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm vazhdojnë të mbeten një nga kërcënimet kryesore të sigurisë, duke kërcënuar jo vetëm jetën dhe pronën, por edhe vlerat demokratike dhe vet mënyrën e jetesës së shoqërisë. Ai tha se trendi global i terrorizmit dhe shtrirja e tij, sidomos gjatë dy dekadave të fundit, ka kërcënuar gjithë rajonin, Evropën dhe më gjerë.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të specializuara do të vazhdojnë të mbeten të përkushtuara për dhënë ndihmesën e tyre të pakursyer për të luftuar deri në fund këtë të keqe të madhe të njerëzimit”, theksoi ministri Gashi.

Ai tha se shteti i Kosovës ka marrë një sërë masash për luftimin e kësaj dukurie, sidomos të shkuarjes së luftëtarëve për shtetin islamik dhe për këtë është miratuar Ligji mbi ndalimin e pjesëmarrjes së Qytetarëve të Kosovës në konflikte jashtë vendit në vitin 2015. Po ashtu njoftoi që kanë filluar programet e de-radikalizmit në burgje, ndërsa pritet që shumë shpejtë të themelohet Divizioni për Parandalim dhe Riintegrimin e Personave të Radikalizuar, i cili do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Brendshme.

Ministri Gashi theksoi se qasja në kohë reale në databaza të ndryshme ndërkombëtare dhe shkëmbimi i drejtpërdrejtë i informatave, janë elementet bazike në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit. Në këtë drejtim ai vlerësoi se anëtarësimi në INTERPOL nuk është tashmë nevojë, por domosdoshmëri dhe për aq sa Kosova ka benefit i të qenit pjesë e kësaj familje, po aq përfitime kanë edhe shtetet tjera dhe INTRPOL-i.

“Anëtarësimi në INTERPOL, garanton forcimin e zbatimit të ligjit në nivelin ndërkombëtar në luftën kundër krimit trans-nacional përmes shkëmbimit të informacioneve kurciale, në kohë reale dhe të drejtpërdrejtë, operacioneve të përbashkëta policore dhe aspekteve tjera”, theksoi ministri Gashi,

Ministri Gashi gjithashtu foli edhe për trafikimin me qenie njerëzore, duke përmendur disa nga të arriturat e institucioneve të Republikës së Kosovës siç janë: Strategjisë Kombëtare kundër Trafikimit me Njerëz dhe Plani i Veprimit 2015-2019, miratimi Ligjit për Parandalimin dhe Luftën kundër Trafikimit të Njerëzve dhe Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit”, “Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit dhe Aftësimin e Komisionit për Kompensim”, si dhe funksionalizimi i komisionit, gjegjësisht fondi për kompensim moral dhe material të viktimave të krimit, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Ai theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme mbetet përkushtuar në vazhdimësi në luftën ndaj të gjitha llojeve të krimit të organizuar, duke dhënë kontributin e saj edhe në luftimin e krimit trans-kufitar, si edhe duke fuqizuar bashkëpunimin me akterët e tjerë të nevojshëm, si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar, me qëllim të krijimit të një ambienti të sigurt dhe eliminimin e trafikimit të njerëzve dhe të çdo forme tjetër të krimit.

Në fund, Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor nënshkruan Deklaratën e Përbashkët “Parimet e Bashkëpunim të Shkëmbimit të informacioneve në fushën e zbatimit të ligjit”.

KOMENTE