Mospërfshirja e mediave në ligjin mbi sponzorizime ishte arsyja kryesore që Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) së bashku me përfaqësues nga mediat takuan Ministrin e Kulutrës Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi.
Në këtë takim kryetari i OAK-së Skënder Krasniqi falënderoi Ministrin për pritjen dhe theksoi se Oda gjatë takimeve të përbashkëta që ka realizuar me përfaqësuesit e mediave ka identifikuar shumë probleme që po e preokupojnë dhe dëmtojnë këtë sektor. Si problem shihet edhe ligji për sponsorizime, ku në këtë rast Oda mendon që do të duhej të përfshihen edhe mediat. Një gjë e tillë jo vetëm që është nevojë por është edhe një ndihmë e madhe.
Ardian Lama nga Rrokum Tv theksoi që ndryshimi në ligjin aktual ku duhet të përfshihen edhe mediat mund të ishte shumë e vlefshme. Kjo shihet si një incentivë shumë e mirë për sponsorizim dhe do të ndikonte në pavarësimin e mediave.
Ilir Mirena, përfaqësues nga mediat online theksoi që brenga kryesore është të gjindet mënyra se si mediat të përfshihen në këtë ligj, duke shtuar se janë të gatshëm të ofrojnë përkrahjen e nevojshme në këtë drejtim.
Sejdi Demiri nga TChannel theksoi se ashtu siç janë përfshirë në këtë ligj rinia, kultura dhe sporti, është e domosdoshme që të përfshien edhe mediat dhe një gjë e tillë nuk mund të shihet si problem. Duke shtuar më tutje se ashtu siç monitorohen subjektet e tjera që përfshihen në ligj, ashtu mund të monitorohen edhe mediat, për këtë arsye jemi mbledhur rreth kësaj iniciative të gjithë së bashku për të kërkuar mbështetje nga ana juaj.
Eduard Kolnrekaj nga Tv Opinion shtoi përfshirja e mediave në këtë ligj do të ndikonte që ky sektor të qëndrojë më mirë financiarisht, do të pavarësohen dhe do të kemi media shumë të fuqishme.
Ndërsa Liridon Bahtijari nga Klan Kosova theksoi se amandamentimi i këtij ligji do të ishte një shtytje shumë e mirë financiare. Krahasuar me Shqipërinë ku paratë nga reklamat dhe sponsorizimet qarkullojnë më shumë, Kosova qëndron më mbrapa.
Ministri Gashi falënderoi pjesëmarrësit për takimin dhe theksoi se do të kenë përkrahjen e plotë drejt amandamentitmit të këtij ligji, andaj në lidhje me këtë do të formojë edhe një grup punues ku do të iniciohet një gjë e tillë.
Gashi gjithashtu theksoi se përkrahë këtë ndryshim dhe mediat gëzojnë mbështetjen e plotë nga ana e tij.