Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi po qëndron për një vizitë dyditore në Republikën e Shqipërisë. Gjatë ditës së sotme ministri Gashi është pritur në takim nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Në këtë takim u bisedua lidhur me rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe shteteve të tjera të rajonit, në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe krijimin e një klime sa më të mirë dhe të sigurt për të gjithë rajonin.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi, me theks të veçantë u bisedua për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e Emergjencave Cilivile.
Presidenti i Shqipërisë, z. Meta shprehu kënaqësinë e veçantë për rekomandimin pozitiv që Komisioni Evropian, ka dhënë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pret me kënaqësi që edhe Parlamenti Evropian dhe Këshilli të miratojnë sa më parë këtë rekomandim.
Ndërsa ministri Gashi e falënderoi z. Meta për përkrahjen e vazhdueshme nga ana e Shqipërisë për Republikën e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, ministri Gashi dhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, z.Fatmir Xhafaj, nesër do të nënshkruajnë Protokoll bashkëpunimi gjatë sezonit turistik veror, në pikat e kalimit kufitar.