Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim drejtoreshën Rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin perëndimor Linda Van Gelder, me të cilën kanë diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore.
Me këtë rast, Ministri Hamza e njoftoi znj. Linda Van Gelder për prioritet e Qeverisë dhe planin e adresimit të sfidave në fushën e ekonomisë për ruajtjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e indikatorëve makro fiskal, si dhe për përkushtimin në fuqizimin e sektorit privat si bartës të rritjes ekonomike në vend. Sipas tij, një ndër partnerët më të rëndësishëm në përmbushjen e prioriteteve zhvillimore të Qeverisë, ka qenë dhe do të mbetet bashkëpunimi me Bankën Botërore.
Në këtë takim, gjithashtu u diskutua edhe për projektet në kuadër të Portfolios që ka Kosova me Bankën Botërore, afatet e implementimit të këtyre projekteve nga Institucionet e Kosovës, si dhe për impaktin që kanë këto projekte në zhvillimin e vendit.
Ndërsa, drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Linda Van Gelder shprehi gatishmërinë e Bankës Botërore që ta ndihmojë Kosovën edhe në të ardhmen në fushat të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.