Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi dhe Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi kanë zhvilluar një takim me delegacionin e Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC): Caleb McCarry, Brian Martalus dhe John Jovanovic.
Temat e diskutimit në këtë takim ishin të dala nga marrëveshja e 4 shtatorit në Washington.
Për hisen infrastrukturore u diskutua konkretisht për projektet kryesore si Autostrada “Prishtinë-Merdare”, Hekurudha “Prishtinë-Merdare” me stacion multimodal, Hekurudha deri në detin Adriatik dhe projekti I Brezovicës.
Kurse në spektrin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit u diskutua për projektet kryesore të sektorit të energjisë përfshirë këtu qasja në rrjetin ndërkombëtar të gazit, qasja në projektet e zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme si dhe opsionet për energjinë me bazë konvencionale.
Ndër të tjera, në këtë takim u diskutua për koordinim me qëllim të involvimit të sektorit privat si motor të zhvillimit ekonomik dhe opsionet e mbështetjes së DFC-së në këtë sector shumë të rëndësishëm.
Ajo që nuk u la pa u përmend nga aktualiteti ishte edhe përkrahja e mundshme në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike nga COVID-19.