Sherafedin KADRIU
METONIMI E FISNIKËRUAR
(Mikut tim të vlerë, Sabit Rrustemit.
Në gjashtëdhjetepesë vjetorin e lindjes)
U takuam në Muzeun e Qytetit
si miq Gjimnazi
se moti kohë s’ishim parë
Më ktheve dyzet vite pas
kur shpërndave Fjalën qosh më qosh
e buxhak më buxhak
Sa njeriu të përshëndeti nga anekënd Kosovës
Dhe qiellit lehtë iu bë
Kur ua ktheve shpinën atyre grilave
Që ta përcëlluan atë moshë të njomë
E buzët që ende qumështonin
Atëbotë
U turr ajo lukuni xhadeve të bardha
pis i bëri me të zezën
Në mëngjesin e hershëm të atij fillim prilli
njëmijë-e-nëntëqind-e-tetëdhjete-një
ua hoqe maskën mysafirëve
Karadakun e larë me gjak
me të kalltë
e me të djegur
në Iseukaj
e ringjalle
sapo u ktheve për së dyti
në botën e letrave
Dhe
kur po mbyllnim shekullin e vjetër
një shtet i ri lindi në Dardani
si poezia jote
Iu gëzuam pa hile
si fëmija lodrës së falur
Miku im i vlerë,
i ke bërë vetit vend në Odën e Atdheut
mu në sofrën e parë
ulur këmbëkryq si burrat e Motit
Ta them
se e njoh mirë veprën tënde
Kritikët
do të flasin për ty edhe kur të mos jesh
se do t’i djegë dashuria për poezinë biblike
Po sonte,
metonimia ime u ndal te ditëlindja e fisnikut
ngase para poetit qenka vetëm Njeriu
( Gjilan, 3 prill 2024 )