Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar pas raportimeve se Serbia ka blerë sisteme raketore dhe po ashtu armatim nga Kina.
“Me blerjen e sistemeve raketore dhe armatimit të ri nga Kina, si dhe sistemeve të mëhershme nga Rusia, rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë”, ka shkruar ministri Mehaj në profili ne tij:
Postimi i plotë:
Me blerjen e sistemeve raketore dhe armatimit të ri nga Kina, si dhe sistemeve të mëhershme nga Rusia, rikonfirmohet fuqishëm edhe njëherë sjellja destruktive, shumë e rrezikshme dhe anti-perëndimore e Serbisë.
Sipas informacioneve të dy ditëve të fundit, Serbia ka pranuar nga Kina sisteme të reja të armatimit duke shtuar kontingjentin e saj të mëhershëm të pranuar nga Rusia e Bjellorusia.
Kjo shfaqje e neveritshme po ndodh në kohën kur BE dhe NATO dhe gjithë bota pro- vlerave euroatlantike është në përballje me sulmuesin e këtyre vlerave, Rusinë dhe aleatët e saj.
Nga kush rrezikohet Serbia, apo kundër kujt armatoset Serbia me sistemet më të avancuara sulmuese dhe mbrojtëse?
Ç’është kjo hipokrizi?
Deri kur me këto standarde të dyfishta?
Republika e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe ne, populli paqedashës dhe liridashës, kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimin e arsyeshëm, si dhe në vazhdimësi kemi reaguar për këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
Prandaj, kërkojmë nga autoritetet e vendimmarrjes së NATO-s, BE-së dhe OKB-së, si dhe të gjitha instancat tjera të politikëbërjes pro-vlerave të paqes, lirisë dhe demokracisë të shqyrtojnë me seriozitetin maksimal këtë qasje destruktive dhe të rrezikshme të Serbisë që ndikon seriozisht në minimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Republika e Kosovës, institucionet dhe populli ynë jemi të vendosur dhe e kemi dëshmuar fuqishëm orientimin tonë euroatlantik me aspiratën e natyrshme për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe BE.
Këtë e kemi konfirmuar çdoherë por edhe tani, ku përkrahë me aleatët tanë të udhëhequra nga SHBA, vazhdojmë procesin e ndërtimit dhe zhvillimit të ushtrisë sonë dhe të gjitha institucioneve tjera shtetërore sipas praktikave dhe modeleve më bashkëkohore të demokracive perëndimore.
FSK-në – Ushtri të fuqishme profesionale në mbrojtjen e vendit dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global.
Ky është misioni ynë dhe ky është interesi ynë jetik shtetëror e kombëtar.
Për këtë jemi të pandalshëm, të pakthyeshëm dhe të pathyeshëm. /2LONLINE/