Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka takuar homologen maqedonase, Slavjanka Petrovska, me të cilën diskutuan për bashkëpunimin në trajnime dhe ushtrime të përbashkëta mes dy ushtrive.
“Gjatë takimit me ministren e mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, znj.Slavjanka Petrovska diskutuam për fushat në të cilat mund të bashkëpunojmë, me theks të veçantë bashkëpunimin në trajnime, ushtrime të përbashkëta ndërmjet dy ushtrive”, ka thënë Mehaj.
Sipas tij, aktualisht, FSK është e gatshme që ushtrisë maqedonase t’i ofroj trajnime në fushën e kërkim-shpëtimit, për të cilën ushtarët tanë janë jashtëzakonisht të përgatitur, ndërsa pala maqedonase do të shkëmbej me ne përvojën e reformimit të brendshëm përgjatë rrugëtimit në procesin për anëtarësim në programin e Partneritetit për Paqe, në të cilin synojmë dhe ne të jemi anëtar.
“Po ashtu një fushë tjetër në të cilën jemi dakorduar të bashkëpunojmë është integrimi i grave në ushtri, shkëmbimi i praktikave më të sukseshme, shkollimi i oficereve dhe trajnimi i tyre është çështje për të cilën do të angazhohemi së bashku”, ka thënë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. /2LONLINE/