Medvegja është komuna më pak e zhvilluar, me më së paku përfaqësim të shqiptarëve në institucione lokale dhe qendrore, më e diskriminuara. Është më e anashkaluar nga Beogradi pasi e pranishëm është vetëm me aparatin shtetëror që e ka përmes, policëve, ushtarëve dhe xhandarëve të shumtë.
Shkruan:Refik HASANI
Kjo Komunë edhe nga Prishtina dhe Tirana zyrtare është harruar dhe nga askush nuk e ka vizituar e aq më larg të investohet diçka konkretisht.
Vizita e filluar sot duhet përshëndetur pasi Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta,në prag të festave të Nëntorit është në një vizitë vëllazërore dhe jo kalimthi se i ka rruga andej. Vizita është enkas për Medvegjë me çka përballet me shumë vështirësi nga më të ndryshmet.
Popullata shqiptare e kësaj Komune sigurisht e pritë këtë vizitë në mënyrë madhështore dhe tepër me emocione pasi krijon një mbështetje së paku morale për shqiptarët e kësaj Komune.
Kjo vizitë që bëhet në festën më të madhe që kemi ne është shumë domethënëse. Presidenti që sivjet ka marrë detyrën ka filluar mirë e mbarë që të vizitojë Komunën më të skajshme shqiptare që ende po mbahet e populluar me shqiptarë,kjo është shumë me rëndësi.
Mbesim me shpresë që deri në fund të mandatit do të interesohen dhe me një përkushtim do të investohen në këtë Komunë.
Opinionin e kujtojmë që Presidenti aktual sa ishte në cilësinë e Kryediplomati shqiptar kishte bërë disa lëshime e që me këtë vizitë në njëfarë mënyre ka ndryshuar qasjen dhe diskursin ndaj Medvegjës. Tani kjo është vizita e parë që dikush nga dy Presidentët, Kryeministrat apo Kryetarët e dy Parlamenteve të dy shteteve bëjnë këso vizita. Uroj që të vazhdohet me vizita, investime e përkujdesje nga Prishtina e Tirana zyrtare për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.
Sivjet më 7 mars 2017, me rastin e ditës së Mësuesit,në Komunën e Bujanocit dhe të Preshevës ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Bujar Nishani, bëri po ashtu një vizitë historike këtyre dy komunave, por jo edhe Medvegjën e tani sikur kjo po përmirësohet nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.
Vizita vëllazërore uroj të mos mbetët vetëm si e tillë, por të afrojë mbështetje, pasi Shqipëria ka obligim kushtetues, moral e institucional të ngrit zërin, mbron dhe përfaqësojnë të drejtat individuale dhe kolektive jo vetëm në Medvegjë, por edhe në Bujanoc dhe Preshevë që përbëjnë hapësirën ton etnike shqiptare.
Tirana në bashkërendim me Prishtinën zyrtare do të duhej të ndërtojnë një qëndrim, platformë a strategji që t’i paraqesin e artikulojnë kërkesat e neve shqiptarëve nga kjo pjesë në të gjitha instancat dhe mekanizmat të BE-së dhe OKB-së.