Blendi Baftiu po kalon momentet e tij më të mira në karrierën e tij këtë edicion. Futbollisti i Ballkanit e mbylli stinorin vjeshtor me dhjetë gola të shënuar në Superligën e Kosovës, si golashënues kryesor.
Falë paraqitjeve të mira, Baftiu u ftua edhe nga përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes për miqësoren e nesërme me Suedinë. Paraqitjet dhe talenti i Baftiut i ka rënë në sy edhe UEFA-s, e cila e ka përfshirë në mesin e 50 futbollistëve që duhet t’i ndjekim në vitin 2020.
Duke qenë kështu, mediumi i madh italian “Tuttomercatoweb” ka dhënë vetëm fjalë të mira për Baftiun.
“I lindur në vitin 1998, UEFA e ka përfshirë Baftiun në mesin e 50 talentëve që duhet t’i shikojmë në vitin 2020”, shkruan fillimisht mediumi në fjalë.
“Fantazist dhe shumë i talentuar në nivelin krijues, Baftiu u ftua për herë të parë edhe nga Kosova A. Një hap normal pas dhjetë golave në 17 ndeshje në pjesën e parë të edicionit”, shkruan më tej “Tuttomercatoweb”.
Ndryshe, Baftiu pritet të jetë titullar në ndeshjen e nesërme mes Kosovës dhe Suedisë që luhet në Doha të Katarit.